Riola Xhemaili është një prej yjeve në ngjitje të futbollit zviceran, por lidhja e saj me Kosovën mbetet e fortë dhe e pandërprerë.
Edhe pse ka lindur dhe është rritur në Zvicër, Riola kurrë nuk e ka lënë pas dore origjinën e saj. Në një konferencë për media të mbajtur të dielën, ajo ndau me krenari ndjenjat e saj për vendlindjen e prindërve.
“Rrjetet sociale janë bërë virale në Kosovë dhe Shqipëri, si edhe në Zvicër. Jam e lumtur për këtë, sepse kam familje atje. Gjyshërit e mi janë atje dhe janë po aq krenarë sa gjyshërit e mi në Zvicër dhe prindërit e mi. Më bën krenare që iu kam sjellë gëzim dy apo tri vendeve”, ka thënë Xhemaili.
Riola rrëfeu se në shtëpi është rritur me gjuhën dhe kulturën shqiptare, ndërsa pushimet i ka kaluar rregullisht në Kosovë. Ajo thekson se përveç vlerave të mësuara në Zvicër, karakteri i saj në fushë është ndikuar edhe nga temperamenti shqiptar.
“U rrita me shumë disiplinë dhe korrektësi. Me vlerat zvicerane që i mësova në shkollë dhe në punë. Në shtëpi u rrita duke folur shqip, duke folur shqip me prindërit e mi dhe duke i kaluar pushimet në Kosovë. Edhe unë e kam atë anë timen, temperamentin që e kam në fushë. Por kjo është një gjë e mirë”, ka theksuar Xhemaili.
Të enjten, ajo u bë heroinë e Zvicrës duke shënuar një gol dramatik në minutat shtesë të ndeshjes ndaj Finlandës, që i siguroi Zvicrës kualifikimin historik në çerekfinale të Euro 2025 suksesi më i madh i deritanishëm për përfaqësuesen e femrave.
“Edhe kur luaj si zëvendësuese, e jap maksimumin sikur të isha titullare. Jap gjithçka për vendin tim”, është shprehur Xhemaili.
Në çerekfinale, Zvicra do të përballet me Spanjën më 18 korrik në qytetin e Bernës. Riola është e vetëdijshme për vështirësinë e sfidës, por mbetet optimiste:
“Duhet të përpiqemi sa më shumë të jetë e mundur ta mbajmë portën e paprekur. Do të jetë ndeshje e vështirë, por jo e pamundur për t’u fituar”, ka thënë ajo.
Në moshën 17-vjeçare, Riola bëri debutimin me ekipin e parë të Zvicrës dhe deri tani ka grumbulluar 33 paraqitje, duke realizuar 7 gola.
Së fundmi, ajo ka përfunduar një sezon shumë të suksesshëm te PSV Eindhoven në Holandë, ku ishte e huazuar, duke shënuar 14 gola dhe dhënë 6 asistime në 26 ndeshje. Më parë ka luajtur për Baselin (2019–2021) dhe më pas u transferua te Wolfsburgu, me të cilin në vitin 2023 arriti në finalen e Ligës së Kampionëve.
Karriera e saj është në ngritje të vazhdueshme dhe emri i Riola Xhemailit tashmë është pjesë e rëndësishme e të ardhmes së futbollit zviceran me rrënjë të thella në tokën shqiptare.
Partitë pa ujdi për presidentin, Kosova drejt zgjedhjeve të ...
Nesër protestë në Jarinje, QKMK paralajmëron për bllokimin e...
Hamza zbulon ofertën e Kurtit për PDK-në: Qëndroni në sallë,...
BE zgjeron sanksionet ndaj Iranit për bllokimin e Ngushticës...
Këshilli Drejtues: Nuk u vlerësua konstruktiviteti ynë, PDK ...
U shpall fituese e BBVA 5, Selin Bollati thyen heshtjen me n...