Guardiola pas humbjes në Madrid: Shanset për përmbysje janë të vogla, por do të provojmë

09:51 | 12 Mars 2026
D.H

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, foli pas humbjes 3-0 ndaj Real Madrid në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në UEFA Champions League, e zhvilluar në stadiumin Santiago Bernabéu.

Tekniku spanjoll pranoi se rezultati e vështirëson shumë kualifikimin, por theksoi se skuadra e tij do të tentojë gjithçka në ndeshjen e kthimit.

“Loja jonë nuk ishte aq e keqe sa për të humbur 3-0. Por Real Madridi kur fiton 3-0, është e qartë se shanset për përmbysje janë të vogla. Do të përpiqemi, edhe pse e dimë se mundësitë janë të pakta. Do të jetë e vështirë, por para tifozëve tanë do të bëjmë maksimumin.”

Guardiola analizoi edhe rrjedhën e ndeshjes, duke theksuar se skuadra e tij pati disa raste, por i mungoi konkretizimi.

“Rezultati është i qartë, por kanë mbetur edhe 90 minuta. Ata patën tre raste në pjesën e parë dhe shënuan tre gola. Ne arritëm shpesh deri te linja e mbrojtjes së tyre, edhe në pjesën e dytë, por na mungoi pasimi final.”

Ai komentoi edhe momentin e penalltisë së humbur, duke theksuar se situata mund të ishte edhe më e vështirë.

“Me tre gola diferencë është shumë e vështirë përmbysja, imagjinoni po të ishin katër. Megjithatë, para tifozëve tanë do të shohim nëse mund të bëjmë një surprizë.”

Trajneri i Cityt pati edhe fjalë vlerësuese për mesfushorin e madrilenëve, Federico Valverde, autor i tre golave në këtë përballje.

“Ai është një lojtar fantastik. Mund të luajë në disa role dhe shënon gola shumë të rëndësishëm.”

Në fund, Guardiola pranoi se skuadra e tij u befasua nga qasja taktike e trajnerit të madrilenëve, Álvaro Arbeloa.

“Po, ata luajtën me pesë në mbrojtje dhe pa një sulmues fiks. Kundërsulmet e tyre ishin shumë të rrezikshme dhe na krijuan shumë probleme.”

Ndeshja e kthimit luhet të martën në ‘Etihad Stadium’./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale