Goditje për Liverpoolin dhe Francën, Ekitike humbet sezonin dhe Botërorin

16:56 | 15 Prill 2026
D.H

Sulmuesi i Liverpool, Hugo Ekitike, ka pësuar një dëmtim të dyshuar në tendinën e Akilit, që mund ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të gjatë.

Sipas raportimeve, lojtari pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Në skenarin më të keq, mungesa e tij mund të zgjasë deri në nëntë muaj, ndërsa vlerësimet fillestare flasin për të paktën gjashtë muaj jashtë.

Ekitike u detyrua të largohej nga loja pas vetëm 31 minutash në humbjen 0-2 ndaj Paris Saint-Germain në “Anfield”, rezultat që vulosi eliminimin e Liverpoolit me rezultat të përgjithshëm 4-0 në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Ky lajm vjen në një moment të pafavorshëm për “The Reds”, sidomos pasi Alexander Isak sapo ishte rikthyer nga një dëmtim i rëndë në këmbë dhe bëri paraqitjen e tij të parë si titullar që nga dhjetori.

Ekitike kishte qenë në formë të mirë këtë sezon, duke realizuar 19 gola për Liverpoolin dhe Francën, pas transferimit të tij nga Eintracht Frankfurt për shumën e 79 milionë funteve verën e kaluar.

Mungesa e tij pritet të jetë një goditje e madhe për Liverpoolin në vazhdim të sezonit.

Ky lëndim prek edhe kombëtaren e Francës, pasi ai do ta humbasë edhe Kampionatit Botëror i cili nis në qershor dhe mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale