Formacioni më i mirë i Kupës së Botës për Klube/ Dominim nga futbollistët e Chelseat dhe PSG-së

16:06 | 14 Korrik 2025
D.H

Chelsea ka fituar Kupën e Botës për Klube, duke shkëlqyer në finalen kundër PSG-së me një fitore të pastër 3-0 dhe duke treguar dominim të plotë gjatë gjithë turneut.

Pas përfundimit të garës, është përzgjedhur edhe formacioni më i mirë i turneut, ku spikasin lojtarë nga skuadra kampione, por edhe nga ekipet më të mira pjesëmarrëse.

Në portë qëndron Yassine Bounou i Al Hilal, i cili me pritjet e tij vendimtare ndihmoi skuadrën saudite të arrijë një rezultat historik.

Mbrojtja përbëhet nga dyshja e PSG-së, Achraf Hakimi dhe Marquinhos, si dhe Thiago Silva i Fluminenses dhe Marc Cucurella i Chelseat, të cilët dhanë siguri e përvojë në prapavijë.

Në mesfushë janë përzgjedhur Vitinha i PSG-së dhe dirigjenti i Chelseat, Enzo Fernandez, që udhëhoqën lojën në mesin e fushës me elegancë dhe intensitet.

Katërsheja e sulmit është e jashtëzakonshme: Pedro Neto dhe Cole Palmer nga Chelsea, të cilët ishin vendimtarë në fitimin e trofeut, si dhe Jhon Arias i Fluminenses dhe Gonzalo Garcia i Real Madridit, që u dalluan me gola e asistime.

Ky formacion përfaqëson më të mirët e Kupës së Botës për Klube 2025, një turne ku cilësia, intensiteti dhe spektakli nuk munguan.