FIFA i kërkon falje Lionel Scalonit të Argjentinës, pas ‘incidentit’ gjatë shortit të Botërorit

18:05 | 7 Dhjetor 2025
D.H

Gianni Infantino ka kërkuar falje në emër të FIFA-s për atë që ndodhi me trajnerin e Argjentinës, Lionel Scaloni, në shortin e Kupës së Botës 2026.

Scaloni, i cili e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës 2022, u kërkua të mbante trofeun e çmuar në skenë gjatë ceremonisë së së premtes në “Kennedy Center” në Washington DC.

Është një privilegj që FIFA ua jep kampionëve në fuqi.

“Ne do të japim maksimumin dhe do të përpiqemi të bëjmë atë që bëmë në Kupën e Botës së kaluar, që është të japim gjithçka që kemi, të mos e lëmë asnjë top të humbur,” tha Scaloni.

Në atë moment, roli i Scalonit në short dukej i rregullt, por një ditë më vonë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i kërkoi publikisht falje trajnerit pasi atij i ishte kërkuar të vishte doreza për të prekur trofeun.

Duke folur në një ceremoni të veçantë të shtunën, Infantino e ftoi Scalonin ta ngrinte trofeun pa doreza.

“Duhet të kërkoj falje ndaj Lionel Scalonit për atë që ndodhi,” tha presidenti i FIFA-s në eventin ku u prezantua kalendari i ndeshjeve për turneun e verës së ardhshme. “Më thanë që atij iu kërkua të vishte doreza për të prekur trofeun”.

“Më vjen shumë keq. Në emër të FIFA-s, të kërkoj falje,” shtoi Infantino. “Sigurisht që kampionët e botës mund ta prekin trofeun”, tha ai.

“Mendoj se më ngatërruan me dikë tjetër dhe nuk më lanë ta prekja dje,” u përgjigj Scaloni me një buzëqeshje. “Më thanë që nuk mund ta prekja pa doreza. Nuk më njohu”, vazhdoi ai.

Infantino u përgjigj duke thënë se protokolli ishte “qesharak”.

Argjentina, kampionia në fuqi, do të përballet me Austrinë, Algjerinë dhe Jordaninë në Grupin J.

“Janë kundërshtarë të fortë. Austria pati një fushatë eliminatoresh të shkëlqyer, dhe ne besojmë se është një skuadër shumë e mirë,” tha Scaloni pas shortit të së premtes.

“Edhe Algjeria, për shkak të mënyrës së lojës së tyre, është një kundërshtar për t’u pasur kujdes. Edhe Jordania gjithashtu, ata patën një fushatë eliminatoresh të shkëlqyer. Ne kemi vazhduar të konkurronim në nivelin më të lartë,” shtoi Scaloni. “Kemi provuar të sjellim lojtarë të rinj që mund të sjellin pak më shumë freski, dhe këtë do të përpiqemi të bëjmë edhe vitin tjetër”, përfundoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale