Federata e Basketbollit e Kosovës e ka shprehur shqetësimin e thellë dhe e ka dënuar fuqishëm incidentin e rëndë të ndodhur në ndeshjen e mbrëmshme të ProCredit Superligës së meshkujve, të zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, ndërmjet KB Vëllaznimi dhe KB Bashkimi.
Ky incident vjen vetëm pak ditë pas një rasti tjetër serioz dhune në basketbollin kosovar, për të cilin Federata kishte reaguar publikisht dhe kishte paralajmëruar zero tolerancë ndaj çdo forme dhune dhe sjelljeje të papranueshme në palestra.
“Për fat të keq, përsëritja e incidenteve në një periudhë kaq të shkurtër tregon se situata ka marrë përmasa alarmante dhe kërkon reagim të menjëhershëm dhe të vendosur institucional”, njofton FBK-ja në një komunikatë për shtyp të lëshuar sot.
Sipas raportit zyrtar të delegatit të ndeshjes, gjatë çerekut të dytë janë dëgjuar ofendime në kor nga tribuna në drejtim të klubit mysafir, për çka është dhënë vërejtje zyrtare publikut.
Me përfundimin e pjesës së parë, një grup tifozësh të skuadrës vendase ka tentuar të sulmojë persona të pranishëm në tribunë, duke krijuar rrezik serioz për përshkallëzim të situatës.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë së Kosovës, është parandaluar një incident edhe më i rëndë.
Në të njëjtën kohë, nga tribuna e ballkonit është hedhur një shishe plastike e mbushur me ujë, e cila e ka goditur ndihmëstrajnerin e KB Bashkimi, Bledar Gjeqaj, në fytyrë, duke e rrëzuar atë në parket.
Pas këtij akti të drejtpërdrejtë dhune dhe tentimit për sulm fizik, në koordinim me gjyqtarët e ndeshjes dhe Policinë e Kosovës, është marrë vendim për zbrazjen e palestrës nga publiku, me përjashtim të zonës VIP, me qëllim garantimin e sigurisë së të gjithë akterëve të ndeshjes.
Federata e Basketbollit e Kosovës njofton se i posedon pamjet filmike të incidentit, ndërsa Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona janë arrestuar për tentim sulmi, ndërsa personi që e ka hedhur shishen është identifikuar dhe priten veprime të mëtejme ligjore ndaj tij.
“Njëkohësisht, klubi nikoqir do të ndëshkohet për organizim të dobët të ndeshjes, ndërsa ndaj tij do të merren masa të rënda disiplinore, në përputhje me aktet normative dhe rregulloret e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Federata e Basketbollit e Kosovës thekson qartë se dhuna fizike, tentimet për sulm, fyerjet dhe çdo formë tjetër e sjelljes së papranueshme nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë. Çdo dështim për të garantuar rendin dhe sigurinë në palestra do të trajtohet si shkelje e rëndë, me pasoja të drejtpërdrejta disiplinore dhe sportive”, shton shtëpia e basketbollit kosovar.
FBK-ja paralajmëron se përsëritja e incidenteve të kësaj natyre do të sjellë masa edhe më drastike, përfshirë mbylljen e palestrave, zhvillimin e ndeshjeve pa publik, humbjen e ndeshjeve me rezultat zyrtar dhe referimin e rasteve tek institucionet kompetente.
“Basketbolli nuk do ta tolerojë dhunën. Federata e Basketbollit e Kosovës do të veprojë me vendosmëri të plotë për të mbrojtur sigurinë, integritetin dhe dinjitetin e garave të saj”, thuhet në fund të komunikatës.
Sorensen shkruan për vizitën në Kosovë, kërkon rezultate të ...
Ambasada Britanike nderon viktimat e masakrës së Reçakut
Forca e Sigurisë së Kosovës nderon viktimat e Masakrës së Re...
Barça me vetëm një mungesë në ndeshjen e Kupës së Spanjës, d...
Turqia kundërshton veprimet ushtarake ndaj Iranit
KEK-u: Po operojmë me 5 njësi, energjia po prodhohet me kapa...