Tre tifozë të ekipit futbollistik “Liria” nga Prizreni po hetohen për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Prokuroria Themelore në Prizren për Arbresh.info ka bërë të ditur se tashmë ka nisur hetimet për tre personat e dyshuar, të cilët të dielën e kaluar gjatë ndeshjes me Vëllaznimin, ia mësyn fushës menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, me synim të qëronin hesapet me tifozët mysafir.
Vendasit nga fusha hidhnin gurë, mjete të forta si dhe piroteknike në drejtim të tifozëve gjakovar, raporton Arbresh.info.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti-Serjani
“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se lidhur me rastin me datë 23.02.2025 me urdhër të prokurorit janë ndaluar tre persona D.D., B.D., O.P., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 404 par.1 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thanë nga Prokuroria Themelore në Prizren për Arbresh.info.
Po ashtu, ajo thotë se prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
“Për të njëjtit, prokuroria brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Po ashtu, lidhur me rastin prokurori i çështjes ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj tre të pandehurve, për veprën penale të lartcekur. Aktualisht, rasti është në punë, dhe këtë fazë nuk mund të ndajmë detaje tjera”, tha Mehmeti-Sejrani nga Prokuroria.
Ndërkohë, tre të dyshuarit menjëherë ishin arrestuar nga Policia e Kosovës, ku edhe janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me vendim të prokurorit ishin dërguar në mbajtje për 48 orë.
Historia e inateve mes tifozëve gjakovar dhe atyre prizrenas
Jo rrallëherë në Kosovë situatat mes tifozëve në çfarëdo sporti kanë përshkallëzuar dhe janë kthyer në përleshje fizike, ku nuk kanë munguar as lëndimet e rënda trupore.
Dukuritë negative në futboll vitet e fundit nuk janë rishfaqur sërish, ku një e tillë ka ndodhur të dielën në Prizren.
Liria ishte nikoqire e Vëllaznimit në kuadër të xhiros së 16-të në Ligën e Parë, grupi A, sfidë kjo e cila u mbyll me rezultat 1-0 në të mirë të vendasve.
Atmosfera impozante dhe numri i madh i tifozëve në derbin e rivalëve të vjetër i dha një tjetër kuptim kësaj sfide.
Mirëpo situata përshkallëzoi në momentet e përfundimit të ndeshjes.
Një udhëtim i “Kuqezinjve të Jakovës”, tifozëve të Vëllaznimit iu la shije të hidhur “Arpagjikve” të Prizrenit, të cilët ia mësyn fushës menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, me synim të qëronin hesapet me tifozët mysafir.
Vendasit nga fusha hidhnin gurë, mjete të forta si dhe piroteknike në drejtim të tifozëve gjakovar.
Disa prej tyre “mllefin” e madh që patën me tifoz u munduan ta shfrynin tek lojtarët. Disa nga lojtarë të Vëllaznimit u përball me sulm fizik nga tifozët vendas.
Për këtë ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës ku ka arrestuar tre prej tyre (B.D, D.D, O.P).
Nga ky sulm nuk ka pasur ndonjë lëndim të rëndë as të tifozëve gjakovarë e as futbollistëve të tyre.
Pas gjithë kësaj ndodhie kanë reaguar edhe dy tifozëritë sikurse “Kuqezinjtë e Jakovës” ashtu edhe “Arpagjikt” e Prizrenit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, gjakovarët e kanë quajtur edhe të padrejtë edhe sjelljen e policisë ndaj tyre.
Ndërkohë nga ana tjetër tifozët vendas nëpërmjet një postimi në rrjetin social në Facebook kanë shkruar se nuk marrin përgjegjësi ndaj asnjë individi që ka hyrë në fushë.
Kujtojmë se kjo nuk ka qenë hera e parë që këto dy tifozëri kanë probleme mes vete dhe se zënkat, sharjet e fyerjet midis njëra tjetrës kanë nisur kohë më parë.
Ende më shumë “inatet” mes vete janë shtuar rreth një muaj më parë kur Vëllaznimi dhe Bashkimi u takuan mes vete në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës.
Prizrenasit kërkuan të udhëtojnë në Gjakovë mirëpo në hyrje të këtij qytetit u ndaluan nga Policia e Kosovës, njësoj sikurse në ndeshjet e kthimit tifozët gjakovarë u ndaluan të hyjnë në Prizren. Arsyet e ndaljes ishin sepse Federata e Basketbollit të Kosovës nuk lejon udhëtimet e organizuara të tifozërive mysafire.
Pas gjithë kësaj katrahure, Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës mori vendim mbrëmë që KF Liria të gjobitej me 2 mijë euro dhe dy ndeshje t’i zhvillojë pa praninë e tifozëve.
Liria nuk do ta ketë ndihmën e tifozëve për ndeshjet ndaj Rilindjes 1974 dhe Trepçës.
Prizrenasit janë në seri të mirë ku në gjashtë ndeshjet e fundit kanë pesë fitore e një barazim, teksa ndodhen në vendin e pestë me 27 pikë, shtatë më pak se vendi i parë Drenica.
Ndryshe, vendi i parë në Ligën e Parë, grupi A, inkuadrohet direkt në Superligën e Kosovës kurse pozicioni i dytë të dërgon në barazh./Arbresh.info /Drilon Halili/
Mungesë banesash në Zvicër: Një apartament 60-vjeçar ofrohet...
Varka me 20 emigrantë fundoset pranë bregdetit jugor të Kret...
Serbi: Familjet shqiptare kërkojnë drejtësi për të zhdukurit
Nuk u ndalua në pikën e kontrollit, policia e Cyrihut arrest...
Tragjedia në Zakynthos të Greqisë ku qeni mbyti 2 vjeçarin s...
“Mos më kërcëno!” – Londrimi i drejtohet Labinotit