AKP bartë rreth 200 mijë hektarë prona pyjore në Ministrinë e Bujqësisë

17:58 | 22 Maj 2026
R J

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Bordit të AKP-së, Hekuran Nikçi, dhe drejtori ekzekutiv në detyrë, Burim Leci, në anën e AKP-së, ndërsa nga ana e Ministrisë së Bujqësisë marrëveshjen e nënshkroi ministri Armend Muja, bashkë me drejtorin në detyrë të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Menderez Ibra.

Ceremonia u mbajt në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa marrëveshja u vlerësua si një nga proceset më të rëndësishme të pasluftës, me arsyetimin se asetet e rëndësishme po përjashtohen nga procesi i privatizimit dhe po kalojnë në menaxhim institucional për interes publik.

Sipas njoftimit, transferimi përfshin rreth 200 mijë hektarë prona pyjore të shpërndara në 3,015 parcela, të cilat deri më tani kanë qenë nën menaxhimin e AKP-së. Po ashtu, Ministrisë i është bartur edhe dokumentacioni i plotë me listën e aseteve dhe parcelat e evidentuara, të cilat – pas përfundimit të procedurave kadastrale – pritet të bëhen publike.

AKP njofton se në kuadër të këtij transferimi ka vënë në dispozicion dokumentacionin relevant, i cili është përfshirë si shtojca të marrëveshjes, ndërsa sipas nevojës do të formohen edhe komisione të përbashkëta me Agjencinë Pyjore të Kosovës për verifikimin dhe transferimin e pronësisë në emër të Qeverisë së Kosovës.

Vendimi për bartjen e 22 Ekonomive Pyjore dhe dy Ndërmarrjeve Pyjore Industriale është marrë paraprakisht nga Bordi i AKP-së dhe, sipas njoftimit, është bazuar në Ligjin e AKP-së Nr. 04/L-034 dhe Ligjin Nr. 08/L-137 për Pyje

Shpërndaje në rrjete sociale