Brazili eliminon Meksikën dhe kalon në finale të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”

13:10 | 3 Gusht 2021

Brazili ka kaluar në finale të Lojërave Olimpike, pasi arriti të mposht Meksikën përmes penalltive, derisa koha e rregullt përfundoi 0-0.

Gjysmëfinalja filloi më mirë për brazilianët që rrezikuan qysh në minutën e parë përmes Antony, por që pasimi i Guilherme Arana nuk i shërbeu edhe shumë.

Ishte sërish Arana (14’) që rrezikoi, derisa u fut deri në brendësi të zonës kundërshtare, mirëpo Guillermo Ochoa bëri një pritje të sigurt.

Më pas, në minutën e 28-të, Brazili u duke se e fitoi një penallti shkaku i ndërhyrjes së Joaquin Esquivel, por VAR-i bëri të ditur se ishte ndërhyrje e pastër.

Nga minutat e fundit të pjesës së parë, Meksika filloi të këndellej dhe krijoi shanse shënimi, mirëpo portat mbetën të paparekura.

Edhe në 45 minutat e dytë, rastet nuk munguan, mirëpo mungesë kishte në efikasitetin e lojtarëve.

Brazili sërish ishte në dominim, ndërsa Richalison lëshoi disa shanse të mira shënimi, duke bërë që ndeshja të shkonte në vazhdime.

As dy herë nga 15 minuta nuk bënë që rrjetat të tundeshin, derisa fituesi u përcaktua përmes penalltive.

Nga pika e bardhë, brazilianët u treguan më të saktë dhe ia dolën të shënonin katër herë, për dallim nga meksikanë që shënuan vetëm një dhe huqën dy tjera.

Kujtojmë se Brazili do të takohet në finale me fituesin e takimit mes Japonisë dhe Spanjës që fillon nga ora 13:00. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara