Trajneri i Real Madrid, Álvaro Arbeloa, ka folur para ndeshjes së kthimit të 1/8 së finales së UEFA Champions League kundër Manchester City, duke theksuar se skuadra e tij duhet të tregojë nivel edhe më të lartë nëse dëshiron të kalojë në çerekfinale.
Tekniku madrilen theksoi se përballja e së martës do të jetë shumë e vështirë dhe se ekipi i tij duhet të jetë edhe më konkurrues se në ndeshjen e parë.
“Jemi shumë të vetëdijshëm për vështirësinë e ndeshjes së nesërme dhe nëse duam të fitojmë duhet të tregojmë një nivel edhe më të lartë se në takimin e parë. Duhet të kemi përulësi dhe ambicie”, deklaroi Arbeloa.
Ai foli edhe për paraqitjet e ekipit në mungesë të Kylian Mbappé, duke theksuar se është i lumtur me mënyrën se si skuadra ka reaguar.
“Jam i lumtur që edhe pa lojtarin më të mirë në botë, njerëzit po flasin shumë mirë për mënyrën se si po luan ekipi”, u shpreh ai.
Sa i përket gjendjes së Mbappé dhe Jude Bellingham, Arbeloa tregoi se mesfushori anglez është gjithnjë e më afër rikthimit.
“Ka qenë Bellingham ai që ka dashur të vijë me shokët e skuadrës për të qenë pjesë e grupit dhe është gjithnjë e më afër rikthimit. Është shumë e rëndësishme që ai të jetë këtu me ne. Ndërsa Mbappé tashmë është i gatshëm dhe nesër do ta shihni”, tha trajneri.
Arbeloa shtoi se prania e Mbappé i jep ekipit cilësi të ndryshme në sulm.
“Kylian na jep cilësi të ndryshme, por mbi të gjitha është një lojtar shumë inteligjent. Mezi pres ta kem në fushë dhe të shijojmë golat e tij”.
Në fund, Arbeloa theksoi se nuk mendon për të ardhmen e tij në stol, por vetëm për përballjen ndaj Cityt.
“Është gjëja e fundit që më shqetëson. Nuk mendoj për këtë. Më intereson vetëm ndeshja e nesërme dhe që tifozët e Real Madridit të jenë të entuziazmuar. Po punoj sikur të kem 15 vite në këtë stol dhe edhe 15 të tjera përpara”.
Ai komentoi edhe vendimin e trajnerit të Cityt, Pep Guardiola, për të pushuar skuadrën para ndeshjes.
“Ai e ka shpjeguar mirë dhe nuk është diçka e re. I ka funksionuar. Kam dëgjuar se kjo ishte ndeshja e 987 që drejton Guardiola dhe nuk do të jem unë ai që do t’i jap këshilla”.
Ndërkohë, Arbeloa lavdëroi formën e mirë të Valverdes dhe theksoi se ai do të vazhdojë të ketë liri në lëvizje edhe kur të rikthehen Mbappé dhe Bellingham.
Trajneri foli edhe për duelët fizikë në mbrojtje ndaj sulmuesit të rrezikshëm të Cityt, Erling Haaland.
“Duhet ta mbrojmë mirë Haalandin. Ai është shumë i gjatë, por Arda Güler bëri një punë shumë të mirë dhe do të shohim nesër nëse do ta përsërisim atë plan”, përfundoi ai.
Rezultati nga ndeshja e parë është 3-0 për Real Madridin, dhe City i duhet një fitore prej tre golave nëse dëshiron ta dërgojë ndeshjen në vazhdime kurse diferenca prej katër e më shumë e dërgon në çerekfinale./Arbresh.info
Sylvinho me “dhimbje koke” – humb yllin kr...
Performancat e shkëlqyera këtë edicion, Fermin kap vlerën 10...
Sylejman Elshani emërohet zëvendësministër në Ministrinë e S...
Ndikimi i turizmit, Shqipërisë i duhen 1.9 miliardë euro ush...
Sulm me dron në një zonë me naftë në Emiratet e Bashkuara
Osmani në takimin lamtumirës me Orav: BE-ja mbetet partner k...