500 milionë euro të shpenzuara për asgjë, Liverpooli i Slotit pa trofe këtë sezon

18:26 | 15 Prill 2026
D.H

Sezoni 2025/26 për Liverpool ka qenë një zhgënjim i madh, pasi skuadra ka humbur të gjitha objektivat kryesore dhe nuk ka fituar asnjë trofe, duke i vendosur “kapakun” me eliminimin e mbrëmshëm në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Parisi.

Ekipi i drejtuar nga Arne Slot e nisi sezonin me pritshmëri të larta pas triumfit në Premier League një vit më parë, por shumë shpejt situata ndryshoi.

Liverpooli, i cili shpenzoi mbi 500 milionë euro në përforcime, ka mbetur jashtë garës për titull dhe aktualisht ndodhet në vendin e pestë, me vetëm objektiv kualifikimin në Ligën e Kampionëve – një detyrim më shumë sesa sukses.

Liverpooli humbi ritmin në kampionat dhe doli jashtë garës për titull që në mesin e sezonit, duke rënë deri në vendin e 12-të në një fazë të caktuar.

Në Kupën e Ligës angleze, “The Reds” u eliminuan herët pas një humbjeje të rëndë ndaj Crystal Palace, duke pësuar një disfatë të thellë 0-3 në “Anfield”, që shkaktoi reagime të forta te tifozët.

Situata u përkeqësua edhe më shumë në Ligën e Kampionëve dhe FA Cup, ku Liverpooli u eliminua në çerekfinale pas dy humbjeve të rënda ndaj Paris Saint-Germain dhe një disfate të thellë 4-0 ndaj Manchester City. Kjo bëri që sezoni të mbyllej shumë herët dhe me zhgënjim të madh.

Përveç rezultateve, skuadra është goditur rëndë edhe nga dëmtimet. Sulmuesi Hugo Ekitike pësoi një dëmtim serioz në tendinën e Akilit dhe pritet të mungojë për një periudhë të gjatë.

Po ashtu, Alexander Isak dhe Giovanni Leoni kanë kaluar muaj të tërë jashtë fushave, duke e dobësuar ndjeshëm skuadrën.

Edhe transferimet e mëdha si Florian Wirtz dhe Jeremie Frimpong nuk kanë arritur të japin ndikimin e pritur, duke bërë që investimi prej mbi 500 milionë eurosh të mos justifikohet.

Ndërkohë, në prapaskenë ka pasur edhe tensione brenda skuadrës, përfshirë situatën me Mohamed Salah, e cila ka ndikuar në stabilitetin e ekipit.

Në fund, Liverpooli e mbyll sezonin pa asnjë trofe dhe me të ardhmen e trajnerit Arne Slot në dyshim serioz, vetëm një vit pasi kishte fituar Premier League./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale