Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhra arresti për dy persona të tjerë në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur një ditë më parë në ambientet e Gjykatës së Apelit Tiranë, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja.
Në pranga janë vendosur xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi, dhe punonjësi i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj, i cili dyshohet se ka dështuar në kryerjen e detyrës.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, ngjarja ndodhi rreth orës 15:38, gjatë një seance gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”. Palë paditëse ishte shtetasi R. K., i shoqëruar nga djali i tij E. K., ndërsa në cilësinë e palëve të paditura ishin përmbaruesi gjyqësor T. M., Zyra Përmbarimore Shkodër, si dhe Gjon Shkambi i shoqëruar nga nipi i tij, Elvis Shkambi.
Pamjet filmike dhe dëshmitë e mbledhura kanë zbardhur se në orën 13:42, Elvis dhe Gjon Shkambi kanë hyrë në ambientet e gjykatës dhe kanë kaluar nga pajisja e skanerit të sigurisë. Pajisja sinjalizoi praninë e metaleve, por punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj nuk kreu asnjë kontroll fizik apo regjistrim të personave në librin e protokollit, siç e kërkon rregullorja.
Dy personat qëndruan në hollin e pritjes deri në orën 15:29 dhe më pas hynë në sallën e gjyqit nr. 3. Sipas hetimeve, në momentin që gjyqtari Kalaja shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxori një pistoletë nga brezi dhe qëlloi disa herë drejt tij. Gjyqtari u plagos rëndë dhe humbi jetën gjatë transportit për në spital.
Më pas, autori qëlloi edhe në drejtim të R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, por fatmirësisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Gjon Shkambi nuk ndërhyri për të ndaluar nipin e tij, çka ka ngritur dyshime se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit, duke pasur rolin e shtytësit apo ndihmësit në krim.
Pas krimit, Elvis Shkambi i ka dorëzuar armën një nëpunësi gjyqësor dhe është neutralizuar në oborr nga policia.
Ndaj Elvis Shkambit, 30 vjeç, rëndojnë akuzat për “Vrasje e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtje pa leje e armëve”. Gjon Shkambi, 56 vjeç, do të gjykohet për “Vrasje e funksionarëve publikë” në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, ndërsa Banush Koxhaj, 63 vjeç, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë me tre fishekë, si dhe prova të tjera që ndihmojnë dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje tronditëse./RTSH
Gucati nga Skënderaj: Nëse Lushtaku merret me dhunë, do të p...
Izraeli dhe Libani vazhdojnë bisedimet për armëpushim dhe pa...
Certifikohen 12 zyrtarë policorë për operim me dronë, polici...
Flet Mërgim Lushtaku për media: Sami Lushtaku ende nuk është...
OVL e UÇK-së thirrje qytetarëve: Nisuni drejt Skenderajt për...
Mërgim Lushtaku po qëndron para Stacionit të Policisë në Ske...