Ministri i Mbrojtjes i shqipërisë, Pirro Vengu, po merr pjesë në Forumin e Sigurisë së Varshavës 2025, një nga platformat më të rëndësishme në Evropë për bashkëpunimin mes vendeve të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe industrisë ushtarake.
Vengu deklaroi se Shqipëria po synon të përvetësojë modele të avancuara bashkëpunimi dhe zhvillimi ushtarak, duke u mbështetur në eksperiencat e vendeve si Polonia.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ministri Vengu theksoi rëndësinë e këtij forumi për shkëmbimin e eksperiencave dhe për ndërtimin e një bazamenti të fortë për modernizimin e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri.
“Jemi sot në Varshavë, ku pas konsultimeve dypalëshe me homologun polak patëm mundësinë që të vendosnim piketat e bashkëpunimit në rrafshin e industrisë ushtarake dhe të fuqizimit të kapitalit njerëzor mes dy forcave tona të armatosura,” u shpreh ministri Vengu në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale.
Ai vlerësoi Poloninë si një model suksesi për mënyrën se si ka gërshetuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian me fuqizimin e industrisë ushtarake, duke e kthyer atë në një shtyllë të zhvillimit ekonomik.
“Këto mësime të vyera ne synojmë t’i përvetësojmë në funksion të rritjes së kapaciteteve të Forcave të Armatosura shqiptare,” theksoi ai.
Nga ambientet e Forumit të Sigurisë së Varshavës, Vengu e cilësoi si “një format shumë të rëndësishëm në Europë për sa i përket bashkëpunimit mes vendeve të NATO-s, Bashkimit Europian dhe industrisë ushtarake.”
Një nga temat kryesore të forumit këtë vit është mbrojtja kibernetike, ku sipas ministrit-Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm.
“Shqipëria ka pasur arritje domethënëse, të njohura edhe në panelet e sotme, pasi ditët e fundit ka arritur të renditet mes 50 vendeve kryesore për sa i përket kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike, qofshin këto civile apo edhe ushtarake,” tha Vengu.
Ai shtoi se Shqipëria do të përpiqet të replikojë këtë format edhe në vendin tonë, në bashkëpunim me aleatët polakë, gjermanë dhe amerikanë.
“Në mënyrë që të gjitha përpjekjet e Shqipërisë në fushën e mbrojtjes, të industrisë ushtarake, të mbrojtjes kibernetike të gjejnë një vend të posaçëm në politikën e bashkëpunimit tonë ushtarak me vendet aleate dhe posaçërisht me Europën Juglindore,” përfundoi ministri./rtsh
Superheronjtë zbresin sot në QKUK me dhurata dhe buzëqeshje ...
A ka ende mundësi për një bashkëpunim PDK-Nisma – Gruda jep ...
Sot mbahen seancat inauguruese në katër komunat veriore të K...
Moti sot kryesisht i vranët, herë pas here priten edhe reshj...
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...