Thirrjet fyese në protestë, Rama: Nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës, ju uroj fat – Mblidhuni 20 vetë dhe ulemi të bashkëbisedojmë publikisht

16:15 | 2 Qershor 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar të hënën në Tiranë kundër ndërtimeve në Zvërnec, duke publikuar një video nga tubimi ku dëgjohen protestuesit teksa hedhin thirrje fyese në adresë të tij.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë kritikoi gjuhën e përdorur, duke u shprehur se nëse ky është vizioni i tyre për mbrojtjen e mjedisit dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve, atëherë do t’u duhet shumë fat në të ardhmen”. Sipas tij, kauzat publike dhe mbrojtja e natyrës nuk mund të përfaqësohen përmes fyerjeve dhe ofendimeve.

“Çuna! Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua – ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës – dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet”, shkruan Rama.

Njëkohësisht ai ftoi ata në një bashkëbisedim publik për të diskutuar çështjet që lidhen me projektin në Zvërnec dhe tema të tjera me interes publik. Kryeministri shton se është i gatshëm të diskutojë me protestuesit për çdo shqetësim që ata kanë, duke përmendur çështje si Zvërneci, transparenca, pronat, investimet e huaja, mbrojtja e natyrës, si dhe ndikimi i projekteve zhvillimore në zonë.

“Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik. Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo? Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni. Nëse doni, natyrisht”, thekson ai.

Megjithatë, Rama nuk kurseu as ironinë ndaj protestuesve, duke deklaruar se nëse ata nuk pranojnë ftesën për dialog, secila palë do të vijojë rrugën e saj.

“Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona te ndara: ju në kor me robt e shtëpisë time, unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, përfundon postimin e tij kryeministri.