Shqipëria hap grup-kapitullin numër 3 në negociatat e anëtarësimit në BE

17:47 | 22 Maj 2025
E.G

Shqipëria ka hapur grup-kapitullin numër 3 në negociatat e anëtarësimit më Bashkimin Evropian. Me hapjen e këtij grupi që numëron 8 kapituj, Shqipëria tejkaloi Serbinë dhe zëri vendin e dytë në listën e shteteve më të avancuara në procesin e anëtarësimit.

Anëtarësimi i plotë, teorikisht është i mundur deri në fund të kësaj dekade.

Me hapjen e grup-kapitullit të tretë në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, Shqipëria edhe formalisht zë vendin e dytë në listën e shteteve më të avancuara në procesin e integrimit evropian. Ky grup-kapitull përfshin gjithsej tetë kapituj individualë, me ç’rast Shqipëria pozicionohet menjëherë pas Malit të Zi, duke ia kaluar Serbisë.

Në të kundërt, Shqipëria ka shënuar një përparim të shpejtë dhe të dallueshëm. Vetëm në tetor të vitit të kaluar ka nisur hapjen e grup-kapitujve, dhe që atëherë ka avancuar më shpejt se çdo shtet tjetër i rajonit në këtë fazë të procesit.

Nëse ky ritëm vazhdon, vitin e ardhshëm Shqipëria pritet të kalojë në fazën e mbylljes së kapitujve, dhe teorikisht, mund ta tejkalojë edhe Malin e Zi. Mbyllja e kapitujve kërkon reforma të thella dhe rrënjësore, të cilat janë themel për përmbylljen e suksesshme të procesit të negociatave për anëtarësim.

Gjatë vizitës së fundit në Tiranë, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se përmbyllja e këtij procesi është e mundur deri në fund të vitit 2027. Nëse nuk do të ketë pengesa në zbatimin e reformave, Shqipëria mund të llogarisë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian para përfundimit të kësaj dekade.

Këtë parashikim tashmë e ka ndarë edhe komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, e cila ka identifikuar Malin e Zi dhe Shqipërinë si dy vendet pararendëse në procesin e anëtarësimit të gatshme të përmbyllin negociatat deri në fund të vitit 2027.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm