Seanca në GJK për kërkesën e gjyqtarëve për rritje page, Rama: Farsë e shëmtuar

19:56 | 20 Janar 2026
E.H

Sot në datë 20 janar, në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri është mbajtur seancë, pas kërkesës së dy shoqatave të gjyqtarëve, për rritje page.

Në lidhje me këtë seancë në GJK për rritje të pagave, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shprehet se kjo është një farsë e shëmtuar. Ai shton se gjyqtarët janë kategoria më e paguar në Shqipëri, duke thyer edhe piramidën shtetërore të pagave në vend.

Kryeministri akuzon shoqatat e gjyqtarëve se duan të marrin në dorë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave. Ai thotë se ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, e uron që Kushtetuesja mos të pranojë kërkesën e togave të zeza për rritje page.

“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar”, shkruan numri një i qeverisë.

Në fund, kryeministri Rama deklaron se ka respekt për SPAK, që nuk iu bashkua kësaj marrëzie, në emër të pavarësisë së gjyqësorit.

“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!

Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar!

Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, shkruan Rama në postimin e tij.

Çështja e pagave të gjyqtarëve është bërë objekt debati prej disa vitesh, sidomos pas Reformës në Drejtësi, e cila solli rritje të ndjeshme të trajtimit financiar për trupën gjyqësore dhe prokurorët, me synim forcimin e pavarësisë dhe integritetit të sistemit. Dy shoqata të gjyqtarëve i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar që pagat e tyre të indeksimit automatikisht sa herë rriten pagat në sektorë të tjerë shtetërorë, duke e konsideruar këtë si garanci kushtetuese të pavarësisë së gjyqësorit./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale