Ministria e Jashtme ruse thirri sot ambasadorët e vendeve të huaja që kanë dëbuar diplomatë rusë, për t’u dorëzuar atyre nota proteste dhe për t’i informuar mbi kundërpërgjigjen e Rusisë. Vendet e njoftuara sot për dëbimet ishin 23, mes tyre edhe Shqipëria.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ka njoftuar ambasadorët e shumicës së vendeve që urdhëruan dëbimin e diplomatëve rusë se një numër i barabartë diplomatësh të tyre janë shpallur persona non grata.
Rusia njoftoi dje se do të dëbonte 60 diplomatë amerikanë si kundërpërgjigje ndaj hapit të ndërmarrë nga Uashingtoni.
Shtetet e Bashkuara deklaruan se nuk ka asnjë justifikim për largimin e diplomatëve amerikanë.
Mbrëmë, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë ku thuhej se veprimi i Moskës “shënon një keqësim të mëtejshëm” të marrëdhënieve midis SHBA dhe Rusisë.
“Dëbimi i zyrtarëve të padeklaruar të inteligjencës ruse nga Shtetet e Bashkuara dhe nga më shumë se 24 vende partnere dhe aleatë të NATO-s këtë javë ishte një përgjigje e përshtatshme ndaj sulmit rus në territorin e Mbretërisë së Bashkuar. Përgjigja e Rusisë nuk ishte e papritur,” thuhej në deklaratë.
Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë dhe Çështjet Publike, Heather Nauert, gjithashtu kritikoi veprimet e Moskës, të njoftuara më parë gjatë ditës nga ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov.
“Rusia nuk duhet të sillet si viktimë”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, duke vënë në dukje se viktimat e vetme dhe të vërteta janë ata që u helmuan më 4 mars me agjent nervor në qytetin britanik Salisbury.
“Është e qartë nga lista që na u dorëzua se Federata Ruse nuk është e interesuar për një dialog mbi çështjet që kanë rëndësi për dy vendet tona”, “Ne rezervojmë të drejtën për t’u përgjigjur”, tha zëdhënësja.
“Shtetet e Bashkuara janë më mirë me më pak spiunë rusë,” u tha zonja Nauert gazetarëve.
Moska mohon përgjegjësinë për sulmin me agjent nervor. Ajo thotë se sulmi është kryer nga shërbimet e inteligjencës britanike në mënyrë që Rusia të paraqitet në dritë të errët. Britania e hedh poshtë këtë pohim.
Ambasadori i SHBA në Rusi, Jon Huntsman – i cili u thirr të enjten në ministrinë e jashtme ruse – i tha Zërit të Amerikës se është dëshira e SHBA, që të ruajnë dialogun mbi çështjet që kanë rëndësi më të madhe.
“Të tilla janë stabiliteti strategjik dhe kontrolli i armëve; ato nuk janë vetëm çështje mes SHBA dhe Rusisë, por në të vërtetë ndikojnë në stabilitetin dhe mirëqenien e gjithë globit”.
Kryeministrja britanike Theresa May, në një telefonatë këtë javë me Presidentin Donald Trump, vlerësoi “reagimin mjaft të fortë” të Uashingtonit pas helmimit.
Shtëpia e Bardhë tha: “Dy udhëheqësit ranë dakord për rëndësinë e çmontimit të rrjeteve ruse të spiunazhit në Mbretërinë e Bashkuar dhe që Shtetet e Bashkuara të frenojnë aktivitetet klandestine ruse si dhe të parandalojnë sulme me armë kimike në territorin e tyre”.
Zoti Huntsman thotë se ballafaqimi me Rusinë nuk do të përfundojë edhe nëse Kremlini i kufizon kundër-masat në një përgjigje simetrike. Çështjet që ndajnë Perëndimin nga Lindja nuk kanë të bëjnë vetëm me helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij 33-vjeçare Yulia.
“…Një rezultat i suksesshëm do të ishte, që Rusia të tërhiqej nga aktivitetet keqdashëse dhe të bëhej një partner i përgjegjshëm”. Ai citon si shembull Sirinë, duke u ankuar se Rusia votoi pesë herë në Këshillin e Sigurimit kundër zhvillimit të hetimeve për përdorimin e armëve kimike nga Siria,” tha ambasadori Huntsman./ VOA
Trump: Irani po kërkon liri, SHBA është gati të ndihmojë
Drenica përforcohet me mesfushorin spanjoll Ian Soler
Sonte do të ketë ulje të ndjeshme të temperaturave
Raportohet se ushtria amerikane ka sulmuar objektivat e Shte...
Vërshimet, AME me detaje për gjendjen në nivel vendi: E mena...
Dëmet e shkaktuara nga vërshimet, Rama: Kemi realizuar mbi 3...