Rritja e çmimit të naftës pas tensioneve në Lindjen e Mesme, Rama: Do rrisim rezervat, shteti do ndërhyjë në treg

14:23 | 13 Mars 2026
E.K

Lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme dhe rrezikun e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, çmimet e naftës kanë shënuar rritje edhe në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se kriza globale po reflektohet në rritjen e çmimeve dhe se qeveria do të krijojë një faktor shtetëror të naftës për të lehtësuar barrën mbi qytetarët.

“Nga ana tjetër, fakti që kriza po shfaqet në të gjithë botën, reflektohet edhe në rritjen e çmimit të naftës. Do të krijojmë një faktor shtetëror të naftës, që të krijojë kapacitete për të lehtësuar barrën mbi qytetarët, siç e lehtësuan masat që ne nxitëm duke ndryshuar komplet qasjen për fluturimet ajrore. Forcën e shtetit do ta fusim edhe në tregun e naftës. Edhe në këtë treg, gjërat do të ndryshojnë. Duke vendosur në dispozicion kapacitetet dhe garancitë shtetërore, bëhet më e lehtë të arrihen marrëveshje me kompanitë që shpërndajnë naftën, duke siguruar qëndrueshmëri afatgjatë”, tha Rama.

Ai shtoi se do të krijohet gjithashtu një rezervë më shumë se 3 muaj, por kjo nuk mjafton më si masë sigurie për situata të jashtëzakonshme.

“Në ligjin që është në konsultim për rezervat është përcaktuar se rezerva duhet të shkojë në 3 muaj, por kjo nuk mjafton më si masë sigurie, pasi mund të jetë e pamjaftueshme në momente të tilla. Na duhet të shkojmë përtej saj. Qytetarëve u nevojitet një treg nafte që të jetë më i përballueshëm se tregu aktual”, tha Rama.

Shpërndaje në rrjete sociale