Rënia e euros përtej projeksioneve të qeverisë i kursyer buxhetit të shtetit ketë vit rreth 8.8 miliardë lekë ose 88 milionë euro në shlyerjen e borxhit të jashtëm.
Përllogaritjet i ka bërë Ministria e Financave në ndryshimet e fundit të bëra në buxhetin e shtetit nëpërmjet një akti normativ. Në shpenzimet e parashikuara për interesat e borxhit gjatë vitit 2024 vlerësohet të ketë një kursim, në vlerën prej 2 miliardë lekësh, në interesat e jashtme, kryesisht si rezultat i efektit të kursit të këmbimit referon Ministria e Financave.
Gjithashtu, zëri i ripagesave të borxhit të jashtëm rishikohet me një ulje prej rreth 6.8 miliardë lekësh, po si rezultat i efektit të kursit të këmbimit, si dhe të mos-materializimit të pagesave të mundshme, të parashikuara për t’u kryer nga Ministria e Financave për kredi të garantuara, pagesa të cilat janë kryer nga vetë huamarrësi.
Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve theksohet se ndryshimet e propozuara në këtë akt normativ do të vijojnë të garantojnë trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik, në raport me PBB-në, në përputhje me rregullin respektiv fiskal, të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit.
Pavarësisht nivelit të lartë të kursimeve në shërbimin e borxhit prej kursit të këmbimit dhe të ardhurave të grumbulluara me tepër deficiti buxhetor mbeti i pandryshuar në nivelin e 57.2 miliardë lekëve.
Brenda masës së deficitit ka ristrukturime. Financimi nëpërmjet kredive të huaja, në formën e mbështetjeve buxhetore, rritet me rreth 3.2 miliardë lekë, duke reflektuar disbursimin e pritshëm të paradhënies së mbështetjes së Bashkimit Evropian, që do të akordojë për vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të planit të ri ekonomik.
Edhe vitin e kaluar më shumë se gjysma e uljes së borxhit publik gjatë vitit të kaluar erdhi si rezultat i forcimit të lekut në kursin e këmbimit.
Banka e Shqipërisë vlerësoi se raporti i borxhit publik bruto ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ra në 59.2% në fund të vitit 2023, duke qenë rreth 5.3 pikë përqindje më i ulët se niveli i vlerësuar në fund të vitit 2022.
Sipas Bankës së Shqipërisë, më shumë se gjysma e kësaj rënieje, ose 2.7 pikë përqindje, i atribuohet efektit të mbiçmimit të lekut kundrejt euros. Nga fillimi i vitit deri në 4 shtator euro është nënçmuar ndaj lekut me 3.3 lekë duke u këmbyer në vlerën e 99.7 lekëve dje nga 103.2 lekë që ishte në fillim të janar. /Telegrafi/
Blendi Fevziu publikon përgjigjet e patransmetuara të Thaçit...
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...
Fede Valverde reagon për herë të parë pas përplasjes me Aure...
Irani ka sulmuar tre shkatërrues amerikanë pranë Ngushticës ...
Akt barbar: Dëmtohet lapidari i UÇK-së në Binxhë të Klinës
Aston Villa e Freiburg fitojnë me përmbysje dhe sigurojnë fi...