Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu është përgjigjur komentuesve kritikë në lidhje me bonusin e pranverës për pensionistët që do të shpërndahet të hënën.
Në rubrikën “Sy më sy” në Facebook, Rama i është përgjigjur një komentuesi që i shkruan se është “bonus i votës”, duke iu përgjigjur se votën e pensionistëve e ka pasur dhe do ta ketë gjithmonë.
“Jo, jo zoti Mehdi! Këtë nuk e them, por e di pse? Sepse e para, votën e pensionistëve unë e kam pasur dhe e kam si vlerësim për punën nga njerëz që kanë jetuar me punë dhe që punës i dinë vlerën, i dinë sikletin, i dinë dhe kimetin”.
Kryeministri theksoi se çdo njeri dëshiron të ndihmojë prindërit e tij, por nuk mundet ta bëjë këtë për shkak të mundësive të kufizuara financiare.
Ai e krahasoi këtë situatë me mundësinë e hyrjes në borxh, duke theksuar se, nëse do të merrte hua për të dhënë më shumë, pasojat do të ishin katastrofike, duke përfshirë humbjen e shtëpisë, njësoj siç ndodhi me piramidat.
“Pensionsitët kanë të gjithë admirimin dhe mirënjohjen time dhe tonën dhe me reformën e pensioneve në mandatin tonë të parë, e kemi bërë që kush ka dalë në pension pas reformës të ketë një pension më dinjitoz, ndërkohë që plagën e tmerrshme të trashëgimisë së shkatërrimit total të logjikës së skemës së pensioneve përpara sesa ne të vinim në detyrë po përpiqemi tani ta kurojmë, qoftë me rritjen e sasisë dhe numrit të bonuseve dhe qoftë me reformën e re që po bëjmë, por ama pa krijuar një piramidë tjetër fatale si ato të Sudes dhe Rrapushit dhe bufit të kënetës.”
Ndërsa një tjetër komentuese e pyët kreun e qeverisë së “Pse u harxhuat kaq shumë”, Rama i përgjigjet duke i thënë se, “në qoftë ironi e pranoj me keqardhje. Në qoftë keqardhje, unë ju pyes, a jepni dot ju prindërve tuaj më shumë lekë sesa ju keni mundësi nga çka fitoni nga puna? Patjetër që do donit t’ju jepnit shumë më shumë, kjo nuk diskutohet, por nuk u jepni dot se e dini mirë që duhet të hyni në borxh dhe e dini mirë që po të hyni në borxh për t”u dhënë sot më shumë, atëherë nesër, jo vetëm nuk do mund t’i jepni dot asgjë, por do humbni edhe shtëpinë tuaj, njësoj siç ndodhi me piramidat pra, është e njëjta llogjikë”.
Rama e vlerësoi bonusin si një “buqetë me lule dashurie dhe respekti” për pensionistët, duke shtuar se ata e dinë më mirë se kushdo përpjekjen për të ofruar këtë mbështetje, pas rritjes së të ardhurave për shkak të zgjerimit të ekonomisë.
Kryeministri gjithashtu tha se pensionistët do të flasin për këtë bonus më 11 maj, duke kujtuar se në të kaluarën merrnin vetëm 1 bonus 3 mijë lekë.
“Kështu që e them përsëri, pensionistët e kuptojnë më mirë se të tërë vlerën e kësaj përpjekjeje të sinqertë dhe e dinë më mirë se kushdo që flet e nuk di se çfarë thotë në emër të tyre që bonusi i dytë brenda më pak se gjashtë muajsh, falë të ardhurave që u rritën mbi parashikimet si pasojë e zgjerimit të ekonomisë është një buqetë me lule dashurie, respekti, përulësie ndaj tyre dhe ta gëzojnë. Të tjerat ua thonë vetë pensionistët në 11 maj, siç ua kanë thënë edhe kur merrnin vetëm 1 bonus 3 mijë lekë në fundvit sepse ata dhe unë, në të paktën një gjë, jemi shumë njësoj, dimë kuptimin e fjalës punë dhe çmojmë vlerën e fjalës Shqipëri.”-përfundon kreu i qeverisë Edi Rama./rtsh.al/
Sekretari i PDK-së në Malishevë: Fatmir Limaj duhet të rikth...
Bedri Hamza: PDK është gati për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Vizitë në terren/ Kurti dhe Çeku inspektojnë projektet kapit...
Zelensky: Sulme të reja ruse në infrastrukturën civile
Vrasja e biznesmenit në Elbasan, Gjykata lë në burg të arres...
Policia e Shtetit sekuestron qindra fishekzjarrë në Tiranë