Rama: Vlonjatëve të mi u kërkoj ndjesë, pajisjet që duhen po vijnë nga Stambolli

16:33 | 29 Dhjetor 2025
D.H

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar për situatën alarmante në Vlorë, përmes një postimi në “X”.

Duke ndarë edhe fotot nga puna që po bëhet në terren, ai thotë se pjesët e reja hidraulike, të nevojshme për riparimin e defektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, janë nisur nga Stambolli dhe pritet të mbërrijnë brenda ditës së sotme.

Sipas Ramës, defekti ka ardhur si pasojë e instalimit të pjesëve hidraulike jashtë standardeve gjatë viteve 2009–2010, të cilat nuk kanë përballuar më presionin e ujit, duke çuar në shpërthimin e tubacionit.

Rama e cilëson defektin si një “plagë të hapur” për qytetin e Vlorës, duke e lidhur atë me problematika të trashëguara nga e kaluara.

Ai u ka kërkuar ndjesë qytetarëve vlonjatë për vështirësitë e shkaktuara, duke theksuar se situata po trajtohet me prioritet për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal me ujë.

“Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë“, shkruan kreu i qeverisë.

Shpërndaje në rrjete sociale