Rama thotë se është ftuar nga Trump për të qenë në Bordin Ndërkombëtar të Paqes

18:04 | 17 Janar 2026
E.K

Shqipëria është ftuar të marrë pjesë si anëtare themeluese në Bordin Ndërkombëtar të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump. Ftesa është bërë drejtpërdrejt nga Presidenti Trump dhe përfaqëson një vlerësim të veçantë për rolin dhe pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Sipas deklaratës publike, kjo ftesë shihet si një hap i rëndësishëm për rritjen e profilit të vendit në arenën ndërkombëtare dhe si dëshmi e forcimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bordi i Paqes synon të shërbejë si një platformë bashkëpunimi ndërkombëtar për promovimin e paqes, dialogut dhe stabilitetit global.

Në reagimin e tij, kryeministri i Shqipërisë e Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një arritje të jashtëzakonshme, duke theksuar se vendi ka njohur një transformim të ndjeshëm në vitet e fundit dhe se sot gëzon respekt dhe dinjitet më të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai nënvizoi gjithashtu se ftesa nga Presidenti Trump për të qenë pjesë e një bordi të krijuar dhe të kryesuar prej tij përbën një vlerësim të posaçëm për Shqipërinë dhe kontributin e saj.

“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë. Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, ka shkruar kryeministri Rama.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë bord ndërkombëtar pritet të forcojë më tej marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në dhe të hapë mundësi të reja për angazhim aktiv në çështje të rëndësishme globale, veçanërisht në fushën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.