Rama: Shqipëria anëtare e NATO-s, spekulimet për sulme të papërgjegjshme

10:29 | 8 Mars 2026
E.H

Kryeministri Edi Rama, deklaroi se situata e përshkallëzuar e sigurisë në Lindjen e Mesme po ndiqet me vëmendje, ndërsa theksoi se prioritet i qeverisë është siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në vendet e rajonit.

Duke folur në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se zhvillimet e fundit kanë prekur edhe Shqipërinë në plan politik dhe njerëzor, për shkak të lidhjeve të vendit me disa shtete të rajonit. Rama theksoi se Shqipëria ruan marrëdhënie të mira si me Izraelin ashtu edhe me vendet e Gjirit Persik.

“Sigurisht që si të gjithë, edhe ne jemi të prekur në sensin fatmirësisht, jo fizik, por patjetër politikisht, shpirtërisht, njerëzisht nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në një rajon, ku kemi miq të jashtëzakonshëm dhe ku me krenari jemi një nga vendet e pakta që kemi një miqësi të fortë, njëkohësisht me Izraelin dhe me vendet e Gjirit Persik, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Katarin, Kuvajtin, Bahrenin, të cilat kanë qenë në rrezen e agresionit të killerave të Teheranit. Situata mbetet e ndërlikuar, vështirë të parashihet fundi i një ofensive të nisur me plotë të drejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në aleancë të ngushtë me Izraelin për të ndaluar njëherë e mirë mundësinë që regjimi obskurantist i Republikës khomeiniste të Iranit të prodhojë bombën atomike”, tha Rama.

Sa i përket shqiptarëve që ndodhen në rajon, Rama tha se përfaqësitë diplomatike shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me qytetarët.

“Në këtë moment sigurisht edhe për ne si për shumë vende të tjera prioritet kryesor është siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në ato vende, përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullatat në rajon janë në kontakt të vazhdueshme qoftë me ne, qoftë me autoritetet vendase, po bëjnë gjithçka për ta monitoruar situatën, për të informuar dhe për të asistuar. Ndërkohë që, çështja kyç e fluturimeve mbetet një sfidë për të gjithë”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se “kjo është një situatë që kërkon qetësi, kujdes, informim vazhdueshëm nga burimet zyrtare. Ndërkohë që ne jemi solidarë me të gjitha vendet e prekura, përfshi pa diskutim, edhe Qipron, një vend mik, i cili po ashtu u godit, edhe Greqinë në shenjë të fortë solidariteti për çka ndodh në Qipro, po njëkohësisht edhe Turqinë në të njëjtën kohë që po ashtu u tentua të goditej nga një raketë e neutralizuar menjëherë nga forcat e NATO-s”.

Kryeministri komentoi edhe lajmet që kanë qarkulluar për një sulm të mundshëm ndaj Shqipërisë, duke i cilësuar ato si spekulime dhe dezinformim. Rama theksoi se Shqipëria është e mbrojtur nga aleanca e NATO-s.

“Përsa i takon Shqipërisë, ka pasur lloj-lloj thashethemesh dhe spekulimesh, dhe interesante është që, ndryshe nga vendet e tjera në Shqipëri, të keqen më të madhe ne e kemi brenda dhe burimin më të madh të dezinformimit, të gënjeshtrave, të deformimit të informacionit, ne ndryshe nga të tjerët, nuk kemi pse e kërkojmë gjetkë, sepse e kemi këtu.

“Dhe nga këtu është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë. Por, ju kujtoj të gjithëve që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, me gjithë keqardhjen për të keqen, që me siguri nuk e ka aspak problem, nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe ndonjë sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kotë dhe siç thonë tironsit, “ondrrën në beze”, se do të përmbyset i ashtuquajturi “regjimi i Edi Ramës””, tha Rama.

Shpërndaje në rrjete sociale