Rama: Progresraporti i KE, rezultat i punës së madhe të bërë nga Shqipëria

21:36 | 4 Nëntor 2025
E.G

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot shumë pozitiv progresraportin e miratuar nga Komisioni Evropian për vitin 2025 për vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky vlerësim është rezultat i punës së madhe që ka bërë Shqipëria edhe gjatë periudhës para çeljes së negociatave.

Gjatë pjesëmarrjes online në “Euronews EU Enlargement Summit”, një platformë dialogu mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Rama tha se Shqipëria ka çelur 5 nga 6 grup-kapitujt vetëm brenda 11 muajve, “që është rekord absolut sa i takon shpejtësisë. Kjo është diçka që vetëm deri pak vite më parë nuk mund as vetëm ta imagjinonim, por ja që jeta është kaq e bukur”.

I pyetur se cili është faktori kyç që Shqipëria përshpejtoi kaq shumë, Rama theksoi se “përveç të zakonshmes që lidhet me punën e madhe, do të shtoja edhe se shpejtësia lidhet me dy faktorë kryesorë. Nga njëra anë gjatë atyre – që unë i quaj ‘vitet e poshtërimit’, ato vite ku Komisioni i BE-së rekomandonte Këshillin që të çelte bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe ne refuzoheshim nga disa vende – ne me kokëfortësi përgatiteshim për momentin e çeljes dhe u stërvitëm në mënyrën më të të fortë të mundshme me të gjithë ekipin duke i thënë vetes: momenti ynë për të treguar se kush jemi në të vërtetë do të vijë dhe për atë moment duhet të jemi gati”.

Në fakt, vijoi Rama, kur momenti mbërriti ne ishim shumë më të përparuar se ndoshta të tjerët në atë moment të çeljes.

Faktori i dytë lidhet me qasjen e Brukselit, që ndryshoi pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Brukseli ndryshoi qasjen e tij dhe u zgjua, për fat të keq u desh një agresion në tokën europiane, një agresion ushtarak për ta bërë Brukselin të zgjohej jo vetëm në nivelin e Komisionit ku gjithmonë kemi gjetur drejtësi, shumë i dhimbshëm, neurotik, por i drejtë, por edhe në nivelin e Këshillit, ku fjalët që na thuheshin: po, një ditë do të jemi bashkë; po, ne ju duam; po, ne do të martohemi, por nuk jemi ende gati të flasim për momentin përfundoi”.

“Momentumi i ri është ende i pranishëm dhe qasja e re ende vazhdon, shpresoj fort të mos zbehet dhe shpresoj shumë që më së fundi do të ulemi së bashku rreth së njëjtës tryezë”, tha Rama.

Pyetjes se a ndjen që ky ndryshim nga Brukseli po zbatohet e po shihet edhe nga vendet e tjera të rajonit tuaj, Rama iu përgjigj se “për këtë duhet të pyesni Brukselin. Për aq sa më takon mua 2030-a nuk është një datë që e kam parë në ëndërr, por një afat që vjen si rezultat i një përllogaritjeje shumë të thjeshtë”.

“E nisim nga fakti që së bashku me Komisionin, në konsensus të plotë me të, kemi rënë dakord mbi një kalendar që është mjaft ambicioz, por i bëshëm, detyrash shtëpie për ne për të mbyllur bisedimet e anëtarësimit, negociatat deri në 2027-ën. Ka mundësi për t’u bërë edhe më shpejt, në gjysmën e parë të 2027-ës, por le të themi në gjysmën e dytë në 2027-ës”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “koha mesatare që kemi vlerësuar kur vjen fjala për ratifikimin nga 27 parlamentet i vendimit është rreth 2 vjet, dhe kështu parashikojmë që Shqipëria të ulet rreth tryezës së BE-së në 2030-ën. Sigurisht, nuk jemi aspak kundër të qenit atje edhe më shpejt”.

“Kur bëhet fjalë për rajonin si i tillë, do të bija plotësisht dakord – dhe i bëj jehonë fjalëve të David McAllister – ky është një proces i bazuar në meritë gjithsecili ka rrugëtimin e tij dhe duhet të përmbushë detyrimet e të bëjë detyrat e veta të shtëpisë. Dhe ka karakteristika të ndryshme në rajon, ka vende të ndryshme, ka histori të ndryshme e kështu me radhë”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “kur vjen fjala tek ne, mund ta them me zë të lartë që jemi kombi më eurooptimist në Europë, apo ashtu siç do të thoshte Donald Trump, në tokë”.

Shpërndaje në rrjete sociale