Rama në takim me fermerët, premton mbështetje të rritur financiare

13:12 | 15 Dhjetor 2025
E.H

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi një takim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor, ku diskutoi mbi prioritetet dhe mbështetjen financiare të parashikuar në Buxhetin e vitit 2026.

“Është mandati më i vështirë i qeverisjes së vendit. E kanë bërë më të lehtë shqiptarët, ju dhe të gjithë ata që, si ju, na kanë dhënë plot 83 mandate për të kryesuar me sukses negociatat me BE-në dhe për t’i vendosur vulën evropiane transformimit të nisur tre mandate më parë. Tre mandate më parë kemi trefishuar prodhimin e serave dhe, si rezultat, kemi rritur ndjeshëm konkurrueshmërinë, me një sipërfaqe serash që ka arritur në 2 200 hektarë. Tre mandate më parë kemi rritur prodhimin e perimeve, i cili i është afruar 1 500 milionë tonëve. Tre mandate nga kur eksportet janë rritur, duke kapur një vlerë që këtë vit, vetëm në 9-mujorin e parë, është më e lartë se gjithë viti i shkuar”, tha Rama.

“Kemi përmbysur raportin e eksporteve me importet: sot jemi 1 me 3, duke vazhduar të shkojmë drejt tendencës ulëse të këtij raporti. Është me shumë rëndësi që sot kemi një buxhet për vitin e ardhshëm jo thjesht më të lartë; vetëm në skemën kombëtare shkojmë me një buxhet që është gati dyfishi i vitit që po përfundon. Të gjitha pagesat do të mbyllen 100% brenda këtij viti. Bujqësia, më shumë se çdo sektor tjetër, ka nevojë për këtë partneritet me qeverinë dhe pushtetin vendor. Ajo që dua të ndaj me ju është se UBT po bën një transformim shembullor në funksion të rritjes së kapaciteteve të dijes për të gjithë spektrin e zhvillimit rural. Jo vetëm në cilësinë e programeve, por edhe në atë çka UBT mund dhe do të bëjë në funksion tuaj.”, shprehet Rama./tch

Shpërndaje në rrjete sociale