Rama: Mikpritja në Tokio, shenjë respekti për Shqipërinë

11:22 | 23 Maj 2026
Q L

Kryeministri Edi Rama përmbylli vizitën zyrtare në Japoni, ku u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi.

Rama ndau në rrjetet sociale momente nga kjo vizitë, ndërsa shprehu mirënjohjen për mikpritjen e veçantë me ceremoninë e lartë shtetërore në Tokio, të cilën e cilësoi “shenjë respekti për Shqipërinë e ndryshuar tërësisht në sytë e botës”.

Vizita e kryeministrit Rama në Tokio u zhvillua në kuadër të forcimit të partneritetit Shqipëri–Japoni dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë ekonominë, kulturën dhe diplomacinë.

Kryeministri Rama u prit me Gardë Nderi nga kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, me të cilën zhvilloi një takim bilateral të fokusuar në thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Gjatë vizitës, Kryeministri Rama mori pjesë edhe në aktivitete institucionale dhe ekonomike, si dhe vizitoi Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku iu adresua me një fjalë panelit të diskutimit me temë “Rruga e Shqipërisë drejt Anëtarësimit në BE: Roli i Japonisë”. Në fjalën e tij, Rama trajtoi procesin e integrimit europian dhe rolin e të rinjve në zhvillimin e qëndrueshëm./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale