Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Made in Albania” është një markë cilësie dhe një pasaportë për në Bashkimin Europian, ndaj dhe qeveria do t’i mbështesë fuqimisht të gjithë ata që do të synojnë marrjen e kësaj pasaporte.
I pranishëm në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, ku u shpalos platforma e re ExportOn, kryeministri Rama kërkoi që të hiqet dorë nga konkurrenca me çmim të ulët dhe bizneset të fokusohen te konkurrenca me standard të lartë të certifikuar nga BE.
Kjo sipas tij, do të krijojë më shumë vlerë duke synuar fitim përmes vlerës së krijuar me cilësi dhe jo përmes sasisë.
Rama u ndal te procesi i anëtarësimit në BE duke shtuar se kjo do të krijojë hapësira mundësish të jashtëzakonshme, por është edhe një prag sfidash të jashtëzakonshme.
“Ata që do të jenë të gatshëm të adoptohen do të jenë fitues, ata që nuk do të dinë të adoptohen do të jenë humbës. Sot ne jemi në nisje të një tjetër viti shumë të rëndësishëm në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) është kthyer në një mekanizëm mbështetjeje që monitoron, asiston dhe që orienton të gjithë ata që i adresohen.
“Një nga gjërat më të rëndësishme për ekonominë tonë është domosdoshmëria për të rritur vlerën e e krijuar në vend dhe një nga sfidat e objektivat e më të rëndësishme të AIDA-s është mbështetja e eksporteve, duke mbështetur prodhimet ‘Made in Albania’”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se qeveria do të vendosë eksportuesin në qendër të kësaj mbështetjeje, duke e shfrytëzuar AIDA-n si një stacion ku eksportuesit dhe institucionet shtetërore takohen.
Nga ana tjetër, Rama theksoi se mbështetja direkte që qeveria do të japë me certifikimet ndërkombëtare është një investim strategjik i shtetit për të ndihmuar biznesin që të futet më shpejt në tregun e përbashkët europian.
“Do shtojmë mbështetjen financiare të shtetit për certifikimet ndërkombëtare ashtu sikundër edhe për të mbrojtur markën dhe pronësinë intelektuale të çdo prodhimi që futet në tregun europian me identitetin shqiptar”, tha Rama./ATSH.AL
Emilja Rexhepi: Nuk jam analiste ta analizojë, por e respekt...
Përveç zgjedhjes së Dolces, “Vëllai i Madh” ia lë në dorë pu...
Në Serbi, 20 pika kufitare ende të bllokuara
Aktgjykimi i Kushtetueses, Limaj: E kam thënë, presidentja d...
Big Brother VIP Kosova nuk njeh kufij, Londrimi bëhet viral ...
Tragjedia në Gadime, nga familja dhe shkolla flasin për ngja...