Rama: Autorësi rajonale për zbatimin e planit ekonomik dhe tregut të përbashkët

13:20 | 10 Qershor 2021

Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor, nisi sot punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përkatësisht; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, si dhe të Komisionerit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se “samiti i Krerëve të Ballkanit Perëndimor është një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të marrë autorësinë rajonale të planit ekonomik dhe të investimeve”.

“Pjesëmarrja juaj në këtë samit të gjashtëses së Ballkanit Perëndimor në Tiranë është një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të marrë autorësinë rajonale të zbatimit të planit ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe tregut të përbashkët rajonal. I jam shumë mirënjohës posaçërisht Komisionerit të Bashkimit Evropian që e nisi dhe e promovoi këtë plan të madh si një instrument kyç që do të na ndihmojë të rimëkëmbemi ekonomikisht në një epokë post pandemike, të punojmë mbi rezistencën social-ekonomike, të na ndihmojë e të shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme e të ndërtojmë mbi tranzicionin e gjelbër dhe digjital të ekonomive tona”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama është pritësi i Samitit, i cili një vit më parë u mbajt online për shkak të pandemisë ndërkohë që këtë vit do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, në Tiranë, dhe po bashkëdrejtohet nga Varheyli.

Kosova përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, Maqedonia e Veriut nga kryeministri, Zoran Zaev, Mali i Zi nga presidenti, Milo Dukanoviç, Bosnje Hercegovina nga kryetari i Këshillit të Ministrave, Denis Zvizdiç dhe Serbia nga kryeministrja, Ana Brnabiç.

Prezentë në Samit janë dhe sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu dhe drejtori i sekretariatit të CEFTA-s, Emir Djikiç.

Liderët e Ballkanit do të diskutojnë për projektet e përfituara në kuadër të procesit të Berlinit, ndërsa pritet të firmosen edhe disa marrëveshje në sektorin ekonomik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara