Prokuroria e Sarandës dërgon për gjykim pesë persona për ndërtim të paligjshëm në zonën e mbrojtur të Butrintit

10:28 | 27 Dhjetor 2025
E.K

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pesë persona, mes tyre kryeinspektorin dhe inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) Sarandë, të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 199/a/4 të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.416 të vitit 2023 zbuluan se në zonën e Ksamilit, në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, ishte kryer ndërtim në një sipërfaqe të madhe pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.

Kanali i Vivarit është pjesë e Parkut Kombëtar “Butrint” dhe gëzon statusin Monument Natyre (MN) sipas vendimit nr.303, datë 10.05.2019 “Për miratimin e listës së rishikuar të monumenteve të natyrës shqiptare”, të ndryshuar me VKM nr.187, datë 25.03.2021.

Sipas Prokurorisë, punonjësit e IVMT nuk kanë zbatuar procedurat ligjore për konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masave administrative, si gjobitja e subjekteve.

Prokuroria ka dërguar për gjykim disa persona të përfshirë në ndërtimet pa leje në zonën e mbrojtur të Butrintit. Shtetasi R.P. akuzohet për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, “Pushtim i tokës”, “Shpërdorim i tokës” dhe “Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.

“Personi Juridik “Laguna Invest”, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtim i tokës”. E.Z., B.K., V.X., inspektorë të IVMT në Bashkinë Sarandë, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”. A.M., kryeinspektor i IVMT në Bashkinë Sarandë, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Prokuroria thekson se këto ndërtime të paligjshme kanë cenuar një zonë me rëndësi të veçantë natyrore dhe kulturore, duke rrezikuar integritetin e Parkut Kombëtar “Butrint”.- bënë të ditur Prokuroria e Sarandës./rtsh