Princi i Monakos viziton për herë të parë Tiranën

17:26 | 16 Tetor 2018

Princi i Monakos Alberti II është pritur me ceremoni shtetërore, në vizitën e parë e një monarku të Principatës, nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Pas ceremonive të mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të te dy vendeve, presidenti Meta dhe Princi Albert i Dytë zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.

Presidenti Meta vlerësoi vizitën e Princit Albert të Dytë në Shqipëri dhe nënvizoi se, në këto shtatë vite marrëdhëniesh diplomatike, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Monakos është zhvilluar në mënyrë shumë pozitive.

“Vizita e Princit Albert i Dytë është shprehje e qartë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për t’i nxitur e zhvilluar më tej këto marrëdhënie”, tha ai.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Fondacioni Princit të Monakos dhe Shoqata për financim të qëndrueshëm të Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe, po i japin strukturave dhe shoqatave përgjegjëse shqiptare për mbrojtjen dhe promovimin e burimeve natyrore dhe zonave të mbrojtura detare shqiptare.

Të dy krerët e shtetit vlerësuan angazhimet në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, duke nënvizuar interesin për të bashkëpunuar ngushtë në këtë drejtim.

Në fund të bisedimeve zyrtare, në praninë e të dy krerëve të shteteve, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi nga ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, me anë të së cilës palët bien dakord të identifikojnë fushat e veçanta të bashkëpunimit dhe t’i promovojnë më tej ato.

Gjithashtu, u nënshkrua edhe një marrëveshje financimi mes Fondacionit të Princit Albert i Dytë të Monakos me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës dhe Shoqatës për mbrojtjen e burimeve natyrore “Pisha Flamur”.

Lajmet më të lexuara