Përdhosja e flamurit Kuq e Zi në takimin e Ramës, reagon Presidenca

17:49 | 21 Qershor 2019

Presidenca e Shqipërisë ka reaguar pas përdhosjes së Flamurit Kuq e Zi pas takimit të djeshëm të Edi Ramës në Shkodrës.

Dhjetëra flamujt janë hedhur dhe shkelur me këmbë mbrëmjen e djeshme nga mitingashët e mbledhur nga Edi Rama dhe PS e Shkodrës.

Askush nuk ishte kujdesur që të mblidhte flamurin Kuq e Zi dhe ta mbante të paprekur, por të gjithë ishin shkelur me këmbë.

Reagimi i zëdhënësit të presidentit të republikës, Tedi Blushi:

Shprehim keqardhjen e thellë për aktet e papranueshme që kanë ndodhur dje me Flamurin Kombëtar, të përdhosur në mënyrë të turpshme në rrugët e Shkodrës në përfundim të një takimi në këtë qytet, dhe që janë bërë sot publike nga mediat e pavarura.

Flamuri Kombëtar u takon të gjithë shqiptarëve dhe kushdo që merr përsipër ta përdorë duhet ta respektojë atë me një ndjenjë të lartë atdhedashurie, përgjegjshmëri dhe me dinjitetin e duhur siç e meriton, jo vetëm gjatë një takimi, por në çdo moment.

U bëjmë thirrje organizatorëve të këtyre takimeve të tregojnë më shumë respekt për Flamurin Kombëtar, simbolin përbashkues të shqiptarëve kudo në botë, si dhe të distancohen publikisht nga këto akte të papranueshme dhe provokuese për çdo shqiptar!

U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike pa dallim, që kur përdorin Flamurin Kombëtar të tregojnë respekt dhe nderim jo vetëm para mediave, por kurdoherë!

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara