Gjykata e Posaçme ka firmosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Për këtë të fundit është lëshuar masa arrest në burg.
Administratori i kryeqytetit ndodhej në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku u shoqërua më pas nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, u ndal edhe te hetimi paraprak ndaj kryebashkiakut Veliaj.
“Po hetohen veprat penale. Çështja është në fazën e hetimit paraprak, kontrollet e bëra janë mjet për gjetjen e provës”, deklaroi ai gjatë takimit mbi këtë çështje.
Kujtojmë që, më herët GJKKO-ja urdhëroi të tjera kontrolle në një apartament që rezulton të përdoret nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa.
Kontrollet u kryen në një apartament në zonën e ish-Bllokut, i cili dyshohet se përdorej nga Xoxa në funksion të kompanisë së saj “Harabel”.
Vendimi i gjykatës u ekzekutua nga agjentët e BKH-së, të cilët sekuestruan në këtë apartament dokumente, apo pajisje elektronike me vlerë për hetimin e SPAK-ut.
Mbrojtja e kreut të Bashkisë Tiranë, doli në fund të dhjetorit me tetë pretendime lidhur me çështjen e tij të fundit në Prokurorinë e Posaçme, ku SPAK bëri me dije se ai po hetohet për pastrim parash, fshehje pasurie dhe korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose vendorë.
Sipas mbrojtjes së Veliajt, duke u bazuar edhe tek dëshmia e tij e fundit pesë-orëshe në SPAK më 26 dhjetor, hetimi është “dashakeq”, “i qëllimshëm” dhe “në kundërshtim me ligjin”.
Në argumentimin e tyre, avokatët e Veliajt shpjegojnë se ai vetë dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik që në muajin mars 2024, por ky fakt, sipas tyre, është mbajtur i fshehtë nga Prokuroria.
Më tej kanë folur mbi sekuestrimin e telefonave të tyre, ku thonë se janë marrë jo vetëm “pa vendim gjykate”, por edhe pa “pëlqimin e përdoruesit”.
Prokuroria e Posaçme në një reagim për mediat ndërkohë, reagoi në lidhje me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
SPAK thotë se fillimisht ka regjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili bënte fjalë për veprën penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Por më pas nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me korrupsionin pasiv, por edhe “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A.
Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u regjistrua procedimi penal i mësipërm.
Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme./ albanianpost/
LEXO EDHE
Arrestohet me urdhër të SPAK kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Aksident i rëndë në Tiranë, vdes 38-vjeçari
Edi: Dolce në Itali e ka Grande Fratello, këtu e ka Grande A...
Rubio kritikon BE-në për gjobën ndaj platformës X
FFK-ja reagon pas shortit të Botërorit
Kurti: Kosova histori suksesi në Indeksin Global mbi Krimin ...
Rritet numri i aplikuesve nga diaspora për votim në zgjedhj...