Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, njofton se sot në Gjakovë u bë rivarrimi me nderime i Myrteza Dylhasit, i zhdukur më 27 mars 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Për 27 vite Myrteza Dylhasi ishte në Listën e Personave të Zhdukur, si pjesë e grupit prej 11 qytetarësh të rrëmbyer dhe zhdukur nga forcat serbe, në rastin e njohur si rasti i ‘Shtëpisë së Familjes Qerkezi’.
Mbetjet mortore të tij u gjetën në lokalitetet përgjatë rrjedhës së lumit Drini i Bardhë. Pas ekzaminimeve mjeko-ligjore e angazhimit të vazhdueshëm të ekspertëve dhe analizave të ADN-së, u bë i mundur identifikimi dhe rivarrimi i tij me dinjitet.
Nga i njëjti grup, gjashtë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa familja Dylhasi mbetet në pritje edhe për zbardhjen e fatit të Skender Dylhasit, babai i Myrteza Dylhasit.
“Ky rast dëshmon se procesi i kërkimit vazhdon dhe se përkushtimi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i palëkundur deri në ndriçimin e fatit të çdo personi të zhdukur. Me këtë rast, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dylhasi dhe nderimin më të thellë për qëndresën e tyre 27 vjeçare në kërkim të së vërtetës”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka ndarë dhimbjen me familjen pas varrimit të të ndjerit, mbetjet mortore të të cilit u gjetën pas shumë vitesh pritjeje.
“Sot, me nderime të larta, i dhamë lamtumirën e fundit Myrteza Dylhasit nga Gjakova. Pas më shumë se dy dekadash, ai u kthye për të pushuar në tokën e tij, pranë familjes dhe qytetit të tij. Ndajmë dhimbjen me familjen Dylhasi dhe përulemi me respekt para kujtimit të tij”, ka shkruar Gjini.
Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të la...
Abdixhiku: Pranvera e gjen LDK-në të bashkuar dhe të fortë
Këto janë çiftet çerekfinale të Ligës së Kampionëve
Ndodh edhe kjo në futbollin kosovar/ Batatina i shkruan mesa...
Çfarë tregon shifra e fundit e vitit tuaj të lindjes? Numero...
Makinat elektrike shkaktojnë të përziera te pasagjerët – stu...