Numërohen 90% e votave, PS 73 mandate, PD 59, LSI 5 dhe 3 PSD!

09:29 | 27 Prill 2021

Rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, ashtu siç është deklaruar nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, do të dalë brenda 48 orëve. Kjo sepse procesi i numërimit ka vijuar me ritme të larta, ku deri më tani janë numëruar mbi 90% e votave dhe Partia Socialiste e ka të sigurt fitoren. Kjo i sjell mandatin e tretë qeverisës, duke u bërë kështu partia e parë që të qeverisë për tre mandate radhazi.

Duke folur me gjuhën e shifrave, PS ka arritur që të marrë deri tani 73 mandate, duke mundësuar krijimin e qeverisë e vetme, pa pasur nevojën e krijimit të koalicioneve paszgjedhore.

PD ka njohur një rritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ku aktualisht ka marrë 59 ulëse në Kuvendin e ri krahasuar me 46 që ka pasur në 2017. Në këto zgjedhje, LSI përtej çdo pritshmërie të përfaqësuesve të kësaj force politike (por jo sipas sondazheve), ka arritur që të marr vetëm 5 mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara. PD ka ruajtur bastionet e saj në veri me Kukësin, Lezhën, Shkodrën, dhe Dibrën edhe pse te kjo e fundit diferenca ka qenë shumë e ngushtë. Nga ana tjetër, PS ka arritur që në një pjesë të qarqeve ka arritur që të marrë objektivin maksimal, siç është në Gjirokastër por edhe në Berat, ku LSI është zhdukur nga ky qark duke humbur edhe 2 mandatet e marra në 2017. Këto mandate i kanë shkuar një PS duke marrë 5 mandate dhe një PD duke marrë 2 mandate.

Ndërkohë në Elbasan, PS po humb mandatin e nëntë vetëm për 78 vota. PS ka marrë deri 8 mandate, PD 6 dhe LSI asnjë, ndërsa duket se qarku do të shkojë drejt rinumërimit në KQZ. Sipas Taulant Ballës, i nënti në listën e kandidatëve të PS në Elbasan, socialistët e kanë fituar edhe mandatin e 9, sipas llogaritjeve të tyre. Edhe në këtë qark rezultati duket i kushtëzuar nga një numër shumë i lartë skedash të pavlefshme për shkak të gabimeve të bëra nga zgjedhësit, që pasi kanë votuar partinë, kandidatin e kanë zgjedhur të një force tjetër politike. Një fenomen që është regjistruar në të gjithë vendin.

Partia Socialiste po lufton të rifitojë mandatin e tetë në Durrës, ku mbeten për t’u numëruar ende një nymër i lartë kutish, ku LSI ka marrë një mandat vetëm për 400 vota. Nëse ky avantazh do të zerohej gjatë numërimit, mandati i tyre i shkon PS duke cuar në këtë mënyrë në 74 shumicën socialiste.

Supriza e këtyre zgjedhjeve ishte PSD e Tom Doshit që mori deri tani 3 mandate, 2 në Shkodër dhe 1 në Tiranë, e megjithatë po aq suprizë ishte vendimi i tij për t’u tërhequr nga marrja e mandatit me një dorëheqje të parevokueshme, teksa tha se do bëjë koalicion me PS.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara