Normalizohet qarkullimi në rrugën Kir–Qafë Thore, Beci: Lëvizja vijon pa pengesa

21:27 | 14 Janar 2026
E.G

Rruga që lidh fshatin Kir me Qafë-Thoren në Shkodër është hapur për qarkullimin e mjeteve, pas disa ditësh bllokim të shkaktuar nga kushtet e vështira të motit.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, bëri të ditur sot se ndërhyrjet në terren kanë përfunduar me sukses, duke rikthyer lëvizjen e lirë në këtë aks të rëndësishëm për zonat malore.

“Pas disa ditësh pune intensive në terren, ka përfunduar ndërhyrja në Kir, në Njësinë Administrative Pult, ku rruga ka qenë e bllokuar në rreth 25 pika si pasojë e kushteve të vështira. Aktualisht situata është normalizuar dhe qarkullimi është i lirë dhe pa probleme për njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult, me lëvizje të sigurt nga Qafa e Thores”, deklaroi Beci.

Kryebashkiaku shtoi se strukturat përgjegjëse vijojnë të mbeten në monitorim për garantimin e sigurisë së lëvizjes.

“Lëvizja vijon pa pengesa, ndërsa strukturat përgjegjëse mbeten në monitorim për garantimin e sigurisë në vijim”, u shpreh ai.

Ndërkohë, situata në Qafë Thore është përmirësuar ndjeshëm falë rënies së temperaturave dhe punës së pandërprerë të mjeteve borëpastruese dhe fadromave.

Shtresa e borës në zonën e tuneleve është stabilizuar, duke ulur ndjeshëm rrezikun e rënies së orteqeve. Aktualisht është garantuar një kalim i sigurt dhe qarkullimi i mjeteve është i mundur dhe i qëndrueshëm.

Për çdo situatë emergjente, mjetet dhe ekipet përkatëse vijojnë të jenë të stacionuara në Qafë Thore, në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa monitorimi i situatës vazhdon pa ndërprerje.

/rtsh.al/