Me anë të një mesazhi, të bërë publik pasditen e kësaj të enjteje, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u ka uruar festën e Krishtlindjes të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, kudo ata ndodhen.
“Me rastin e ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’iu shpreh të gjithëve urimet më të mira e më të përzemërta në këto çaste të lumtura! Dita simbol e lindjes së Krishtit rizgjon në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, kur bashkojnë përpjekjet për të ngritur lart vlerat më sublime e më fisnike fetare dhe njerëzore. Sonte urojmë familjarët, të afërmit, miqtë e të njohurit e krishterë, ashtu siç kemi bërë prej shekujsh, e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit, në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare”, ka theksuar ndër të tjera Presidenti Nishani.
Megjithatë, në këtë ditë të bekuar, kreu i shtetit nuk ka lënë pa kujtuar edhe njerëzit e pamundur, për të cilët kërkon më shumë dhembshuri njerëzore.
“Mendimi dhe lutjet tona shkojnë për njerëzit më me pak fat e në nevojë, të cilëve më shumë se kushdo u duhet ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore. Le të përpiqemi t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet të vetmuarve, të braktisurve, të pamundurve e të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim! Le të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin, duke qenë prindër, fëmijë, miq, fqinjë dhe qytetarë të mirë, duke mbështetur e zhvilluar komunitetin, ku secili prej nesh jeton dhe punon”, është shprehur Nishani.
Në fund, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka thënë se shpreson e lutet që paqja e mirësia të mbizotërojnë zemrat e njerëzve nëpër botë, ndikuar kjo edhe prej dhimbjes dhe errësirës së akteve terroriste që kanë tronditur Europën, luftën civile që ka shkatërruar Sirinë e largët, por edhe klithmat e emigrantëve që humbën jetën deteve dhe oqeaneve në kërkim të një jete më të mirë dhe më të sigurtë.
“Uroj që e gjithë bota mbarë të bashkojë forcat, mendjet, shpirtrat e të bëjë përpjekje maksimale për të shpëtuar njerëzimin nga e keqja! E gabuara dhe e keqja le të dështojnë dhe e drejta të triumfojë! Gëzuar edhe për shumë vjet Krishtlindjen dhe iua uroj sa më të paqta e të mbara e në shëndet e harmoni të plotë të shpirtrave, zemrave dhe trupave!”, përmbyll urimin Bujar Nishani.
Arrestohen dy persona në Pejë për ndërhyrje në proces zgjedh...
Rrezikoi pushuesit në Borsh, policia bllokon mjetin lundrues...
Problemi me fshirjen e ngjyrës në gisht, kryetari i KQZ-së: ...
Ambasadori gjerman për zgjedhjet: Po e vëzhgojmë procesin me...
Aksident i rëndë në Kroaci: 4 të vdekur, 1 i lënduar
FFK ngushëllon familjen e Fatjon Bunjakut: Humbje e madhe pë...