Manastirliu: Të dhënat që vijnë nga terreni, përcaktuese për vendimet për masat shtrënguese

12:59 | 15 Prill 2020

“Të dhënat që vijnë nga terreni tregojnë se situata është e qëndrueshme, ndërsa vijon puna pa u ndalur me epidemiologët dhe të gjithë strukturat e kujdesit shëndetësor vendor për gjurmimin e rasteve me COVID19”.

Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila ka zhvilluar një takim me epidemiologët e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë.

Manastirliu vlerësoi maksimalisht punën e tyre në terren për gjurmimin e rasteve të dyshuara dhe identifikimin e tyre në kohë.

“Po bëhet një punë organizative nga të gjithë strukturat e njësive vendore të kujdesit shëndetësor në të gjithë Shqipërinë. Kemi 9 grupe të cilat janë organizuar nga strukturat vendore të kujdesit shëndetësor të Rajonit të Tiranës, të cilat janë duke punuar 24 orë në 7 ditë të javës, për të evidentuar, për të gjurmuar, për identifikuar dhe për të bërë gjithë hetimin epidemiologjik, për t’i dhënë gjithë informacionin e nevojshëm Institutit të Shëndetit Publik e më pas për të marrë ato të dhëna të cilat janë të rëndësishme për të kuptuar situatën në terren, në mënyrë që ne të jemi shumë më të qetë për të marrë vendimet e duhura përsa i përket vijimit të masave shtrënguese”, tha Manastirliu.

Gjatë takimit me epidemiologët, Manastirliu tha se pavarësisht lehtësimit me pikatore të masave shtrënguese, duhet te vijojë respektimi i masave te vendosura për të kufizuar shpërndarjen e virusit.

“Sigurisht është bërë një lehtësim shumë me pikatore përsa i përket masave shtrënguese, duke zgjeruar dhe fashën e lëvizjes nga ora 5 e mëngjesit në orën 17:30 të pasdites në një limit prej 90 minutash. Por dua të theksoj edhe njëherë që asgjë nuk ka ndryshuar nga rregullat e mëparshme. Duhet të vijojmë të ruajmë distancimin fizik, duhet të vijojmë që të mbajmë higjienën personale dhe të moshuarit duhet të vijojnë të rrinë në banesë”, tha Manastirliu.

Lajmet më të lexuara