Kryebashkiaku Veliaj i dorëzon çelësat e banesës së re familjes Neli në Zall Herr

18:51 | 23 Prill 2020

Veliaj: “Është vetëm çështje kohe rindërtimi i banesave në të gjithë Tiranën; Kemi filluar garën për 800 shtëpitë e nëntorit”

Në prag të muajit të Ramazanit, familja Neli në Zall Herr gëzon një strehë të re, me kushte shumë herë më të mira sesa shtëpia ku banonin përpara tërmetit të 26 nëntorit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi sot çelësin e banesës së re zonjës së shtëpisë, Fatmire Nelit, gjashtë anëtarët e së cilës, për shkak të kushteve ekonomike, e kishin të pamundur që të siguronin vetë rindërtimin e banesës së shkatërruar nga tërmeti.

Kryebashkiaku theksoi se ky është një tjetër tregues i mbajtjes së fjalës. “Jam shumë i lumtur që para se të fillojë muaji i Ramazanit, familja e nënë Fates futet në shtëpi të re. Vërtetë kemi punuar me shtëpinë me llaç e tulla, por ka qenë humori i saj, dashuria e saj, që na bëri të vazhdojmë përpara. Kjo është një familje nga më të vuajturat e Zall-Herrit dhe të fshatit Pinar, por falë kolegut tim fantastik, administratorit, Ben Maloku, që mobilizoi të gjitha burimet, arritëm ta ndërtonim para Ramazanit. Jam shumë i lumtur për këtë”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se është vetëm çështje kohe që edhe familjet e tjera të prekura nga tërmeti të futen në banesat e tyre të reja. “Ka qenë merak dhe porosi e kryeministrit që familjet që ishin prekur nga tërmeti i shtatorit të rimbursohen dhe më vjen mirë që, edhe në Zall-Herr, si në të 27 njësitë, është dhënë pagesa e plotë, në disa raste e mjaftueshme jo vetëm për të bërë riparime, por edhe për ndonjë përforcim ose mobilje. Por, në rastet si nënë Fatja, me një shtëpi e cila nuk mbante më, komplet të rrënuar, jam i lumtur që e bëmë nga e para. Tani kemi filluar një proçes ku kemi mbaruar shtëpitë e shtatorit, kemi edhe 7-8 për të hapur, që do t’i hapim gjatë muajit të Ramazanit. Dua që t’u them të gjithë të tjerëve, jo vetëm këtu në Pinar, jo vetëm në njësinë Zall-Herr, por në të gjithë Tiranën, është vetëm çështje kohe”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë dha lajmin e mirë edhe për ata që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit, teksa theksoi se ka filluar gara për 800 shtëpitë e reja që do të ndërtohen. “Kemi filluar garën për 800 shtëpitë e nëntorit, do të thotë që edhe shtëpitë e tjera që janë prekur nga tërmeti i dytë do të kenë po të njëjtin fat të mirë, do të jenë fatlum me një shtëpi të re, por kjo do vetëm pak durim. Më vjen mirë që s’kemi lënë asnjë njeri jashtë; janë ose me çadra, ose me kontenier, ose me bonusin e qerasë, i kemi sistemuar nëpër shtëpitë alternative. Për sa kohë nuk kemi lënë asnjëri jashtë, është vetëm çështje durimi sa të futemi brenda, por tani jo tek shtëpia e tjetrit me qira të paguar nga Bashkia, por tek shtëpia që do e kemi sa të jetë jeta”, nënvizoi Veliaj.

E emocionuar për banesën e re me të gjitha kushtet dhe e ndërtuar brenda një kohe tepër të shkurtër, nënë Fatja falenderoi kryebashkiakun Veliaj për ndihmën. “Unë ju uroj nga zemra, në emë të familjes sime, fëmijët e mi, se i kam jashtë, dhe ju më jeni bërë si fëmijët e mi. Zoti ju’a shpërbleftë për ditë Ramazani”, tha Fatmire Neli.

Sikurse edhe për ndërtesat e tjera, për ndërtimin e kësaj shtëpie në kohë rekord janë përdorur standardet më të larta të ndërtimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara