Komuna italiane kërkon binjakëzim me Kavajën

10:33 | 24 Janar 2023

Sipas të dhënave deri më 31 Dhjetor 2022 në Komunën e Cascina-s në Itali banonin 45 198 banorë. Siç tregon kreu i kësaj komune, Michelangelo Betti, shifrat e lindshmërisë dhe vdekshmërisë bëjnë që numri i banorëve të jetë pak a shumë i njëjtë me një vit më parë. Dhe këtu faktor sipas tij janë edhe emigrantët.

“Kjo demonstron se zona jonë është një vend ku njerëzit jetojnë mirë dhe vendosin që të rrisin fëmijët e tyre. Kjo tregohet edhe nga arritjet nga komunat afër nesh (481 banorë nga Pisa dhe 108 nga San Giuliano Terme), por edhe nga ata që vijnë jashtë Italisë”, tha Betti.

Dhe sa i përket të huajve, shqiptarët përbëjnë numrin më të lartë të atyre që kanë shkuar atje. Vitin e kaluar atje kanë shkuar 44 shqiptarë të tjerë, duke e rritur komunitetin në 1016 persona. Në fakt, shqiptarët janë komuniteti më i madh në Cascina. 500 të tjerë kanë marrë nënshtetësinë italiane, kështu që nuk futen në këtë llogaritje që bën kryetari i komunës. Komuniteti i dytë më i madh është ai rumun që ndiqet nga Senegali dhe Maroku. Këto shifra kanë bërë që zyrtarët e kësaj komune të mendojnë binjakëzimin me Bashkinë e Kavajës.

“Në bazë të këtyre shifrave ne synojmë që të binjakëzohemi me qytetin shqiptar të Kavajës, që ndodhet mes Tiranës dhe Durrësit. Është një nga ato qytetet që ka lidhje më të ngushta me Cascina. Nëpërmjet komunikimit me email me kryebashkiakun e Kavajës mësuam se atje ndodhen 5 kompani italiane me mbi 700 punëtorë, ndërsa këtu ka shumë qytetarë që vijnë nga ai qytet. Kjo është arsyeja pse ka kuptim që të vazhdojmë punën për të arritur një binjakëzim”, tha ai.

Gaia Nuvoli, shefe e shërbimeve demografike dhe statistikore nënvizoi edhe një fakt tjetër interesant.

“Po vijnë nga Shqipëria shumë gjyshër pasi në familjet që janë vendosur këtu ka fëmijë të vegjël që kanë nevojë për kujdes. Me shumë mundësi ata vijnë për të mbështetur prindërit që punojnë dhe kujdesen për nipërit e mbesat e tyre”, u shpreh ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale