Të martën e datës 15 korrik, FBI-ja shtoi tre zyrtarë të dyshuar të inteligjencës iraniane në listën e personave më të kërkuar, mes tyre edhe ish-ambasadorin e Iranit në Shqipëri, Gholamhossein Mohammadnia.
Ish-ambasadori është futur në listën e njerëzve më të kërkuar në FBI-së, për shkak të rolit që dyshohet se kishte në lidhje rrëmbimin dhe zhdukjen e ish-agjentit të FBI-së, Robert Levinson, i cili besohet të jetë i vdekur.
Zyra e FBI-së në Uashington i identifikoi dy individët e tjerë si Reza Amiri Moghadam dhe Taghi Daneshvar.
Reza Amiri Moghadam aktualisht shërben si ambasador i Iranit në Pakistan. Ai ka qenë më parë drejtues i njësisë operacionale të Ministrisë Iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS). Kur mbante këtë post, agjentët e MOIS-it në Europë raportonin drejtpërdrejt te ai në Teheran.
Ndërsa Taghi Daneshvar u përshkrua si person me përvojë në operacionet e inteligjencës dhe antiterrorizmit.
Ai njihet dhe me dy emra të tjerë: Sayyed Taghi Ghaemi dhe Sayeed Taghi Gha’emi. Ai mbikëqyri punën e Sanai-t (i njohur si Mohammad Baseri) gjatë periudhës kur Robert Levinson u zhduk.
Gholamhossein Mohammadnia është zëvendës ministër i lartë në MOIS dhe ka shërbyer si ambasadori iranian në Shqipëri në vitin 2016.
Ai u dëbua nga Shqipëria në dhjetor të vitit 2018 për “cenim të sigurisë kombëtare”. Ai udhëhoqi një përpjekje për të fajësuar një grup terrorist në rajonin e Baluçistanit të Pakistanit për zhdukjen e Robert Levinson, në mënyrë që të largonte përgjegjësinë nga qeveria iraniane.
Sipas FBI-së, të tre të dyshuarit janë të lidhur me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS), të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë etiketuar si një lojtar kyç në operacionet e marrjes së pengjeve dhe komplotet që synojnë amerikanët jashtë vendit.
“Këta tre oficerë të inteligjencës ishin ndër ata që dyshohet se lehtësuan rrëmbimin e Bob-it në vitin 2007 dhe më pas mbulimin e ngjarjes nga qeveria iraniane. Bob ndoshta ka humbur jetën në robëri, larg familjes, miqve dhe kolegëve të tij,” tha drejtori i FBI-së në Uashington, Steven Jensen. “FBI do të vazhdojë përpjekjet e saj të palodhura për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë akt të neveritshëm.”
FBI vazhdon të ofrojë një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacion që çon në zbulimin, gjetjen dhe kthimin e ish-agjentit të vet, Levinson. Gjithashtu, programi “Rewards for Justice” i Departamentit të Shtetit të SHBA-së ofron deri në 20 milionë dollarë shpërblim për informacionet që çojnë në gjetjen dhe kthimin e ish-agjentit.
OVL e UÇK-së mbështet protestën në Shkup: Dinjiteti shqiptar...
Gjendja e Lamal nuk është ende mirë: Nuk do të prekë top me ...
Vetaksidenti me fatalitet në Dollc, një nga të lënduarit dër...
Rreth 143 mijë aplikime nga mërgata për të votuar në zgjedhj...
Sa shqetësuese është shpërthimi i Ebolës në Kongo?
Lewandowski përshëndetet me duartrokitje në këmbë në ndeshje...