Investimet e huaja, Rama: Shqipëria mbi mesataren e rajonit, po kthehemi në një vend ku investohet afatgjatë

16:51 | 12 Prill 2026
E.G

Shqipëria ka shënuar një rritje të investimeve të huaja direkte, duke u pozicionuar mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor. Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në podcastin “Flasim”, ku tha në pesë vitet e fundit vendi ka tërhequr investime që përbëjnë afro 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më shumë se mesatarja e rajonit.

“Ekonomia rritet dhe rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe sepse investimet e huaja direkte rriten në mënyrë të qëndrueshme. Në 5 vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr më shumë investime të huaja në raport me ekonominë sesa mesatarja e rajonit, duke arritur në afro 7% të Prodhimit të Përgjithshëm, mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime, ndërsa në nëntë muajt e parë të vitit 2025 kjo shifër ka arritur në 1.21 miliardë euro, duke konfirmuar ritmin e qëndrueshëm të rritjes.

Ndërkohë, stoku total i investimeve të huaja ka shkuar në 16.6 miliardë euro, një nivel i paimagjinueshëm deri pak vite më parë.

“Vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime, ndërsa në 9 muajt e parë të 2025-ës kemi arritur në 1.21 miliardë, çka konfirmon ritmin e qëndrueshëm të rritjes. Ndërkohë, stoku total i investimeve të huaja ka arritur në 16.6 miliardë euro, një shifër e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë. Një shifër që tregon qartë se Shqipëria ka ndryshuar pozicionim në rajon, ka ndryshuar qasje dhe impakt, nga një treg që shihej me shumë rezervë, duke u kthyer në një vend ku investohet konkretisht dhe në perspektiva afatgjata.

Dhe, po të llogarisim aplikimet, interesimet dhe mundësitë që shohim nga e gjithë ajo çka është tryeza e dosjeve të agjencive përkatëse, atëherë mund t’ju them me plot gojën se e nesërmja është shumë më e mirë sesa e sotmja. Është një e nesërme rezultatesh që lidhen drejtpërdrejt me çfarë kemi mbjellë me mundim në tërë këto vite, me reformat transformuese që kemi bërë, me stabilitetin ekonomik që kemi krijuar, me përmirësimin në vazhdim të klimës së biznesit dhe me një qasje të strukturuar të investimeve në një mjedis të parashikueshëm për kapitalin afatgjatë”, theksoi ai.

/rtsh.al/