Gjatë vitit 2020 në Shqipëri u rrit vdekshmëria jashtë spitaleve

10:05 | 8 Qershor 2021

Pandemia Covid -19 ka ngritur numrin e personave që humbën jetën në vitin 2020, por sipas të dhënave të INSTAT një pjesë e madhe e tyre ndodhen në ambientet e shtëpive dhe jo në spital.

Në krahasim me mesataren 2016-2019 vdekjet në shtëpi u rritën me 28% më 2020, ndërsa vdekjet në spitale u rriten me 60 për qind, ndërkohe që shihet të kenë rënë në mënyrë të dukshme vdekjet në vende të tjera si rrugë etj

Në vitin 2020 në ambientet e shtëpive humbën jetën 20784 persona, me një rritje 31.7% në raport me vitin 2019, ose 5,011 persona më shumë.

Pjesa më e madhe e fataliteteve në shtëpi kanë për shkak pandeminë Covid-19, pasi shumë persona vendosën të trajtohen në shtëpi, për shkak të mbingarkesës në spitale..

Të dhënat mbi vdekjet shtesë në spitale tregojnë se, ato ishin më të larta se, raportimet zyrtare.

Nga marsi deri në fund të dhjetorit 2020 nga të dhënat zyrtare u raportuan 1,181 vdekje nga covid-19, por gjatë kësaj periudhe vdekjet shtese në spitale ishin 2,083 ose 76 për qind më të larta se vdekjet zyrtare të raportuara nga Covid-19.

Nga ana tjetër jetët e humbura jashtë shtëpisë dhe spitaleve pësuan rënie për shkak të pandemisë, për shkak të masave kufizuese.

Pjesa dërmuese e vdekjeve shtesë në vitin 2020 u justifikuan me diagnozat e sëmundjeve të zemrës dhe shkaqe të panjohura, sipas publikimit të INSTAT mbi shkaqet e vdekjeve më 2020.

Zyrtarisht, Ministria e Shëndetësisë deklaroi në vitin 2020 rreth 1,180 humbje jete nga Covid-19, duke shpjeguar më pak se një të tretën e shtesës së vdekjeve në 2020-n, në raport me mesataren e 2016-2019.

Sipas INSTAT, 9% e totalit të fataliteteve në vitin 2020 erdhën nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, duke e bërë Covid-19 zyrtarisht sëmundjen e tretë më vdekjeprurëse në vend pas qarkullimit të gjakut dhe tumoreve./TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara