Ferit Hoxha në Forumin e Diplomacisë në Antalia : Bashkëpunimi rajonal, domosdoshmëri për stabilitetin dhe integrimin evropian

16:10 | 19 Prill 2026
E.G

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në edicionin e 5-të të Forumit të Diplomacisë në Antalia, më 17–18 prill 2026.

Ai e cilësoi këtë pjesëmarrje si një nder për Shqipërinë, duke theksuar se diplomacia është mjeti më i fortë për të nxitur dialogun, ndërtuar besim dhe avancuar paqen në kohë krizash.

Gjatë dy ditëve të forumit, Hoxha zhvilloi takime të shumta dypalëshe me partnerë ndërkombëtarë, duke rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

Në rrjetin social “X”, ai shkroi se “Pata dy ditë të plota dhe shumë produktive, të cilat ofruan një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e shumë takimeve dypalëshe me partnerë në rrugën e anëtarësimit në BE, duke rikonfirmuar angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për bashkëpunimin rajonal dhe për një të ardhme të përbashkët evropiane.”

Gjithashtu ministri mori pjesë edhe në një panel mbi “Bërjen e Paqes në Ballkanin Perëndimor”, ku paraqiti perspektivën shqiptare dhe nënvizoi se bashkëpunimi rajonal është një domosdoshmëri për stabilitetin dhe integrimin evropian.

Ai shtoi se “Bashkëpunimi rajonal nuk është thjesht zgjedhja e duhur për vendet e rajonit, por një domosdoshmëri për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe integrimin evropian.”

Për herë të parë, Hoxha ishte I pranishëm në Platformën e Paqes për Ballkanin, një nismë e ndërmarrë nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, e cila synon forcimin e dialogut rajonal dhe promovimin e kulturës së paqes.

Në përmbyllje të postimit të tij në “X”, Hoxha theksoi se “Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar dhe të paparashikueshme, diplomacia mbetet instrumenti kryesor i stabilitetit dhe vetëm përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm, dialogut strategjik dhe përgjegjësisë kolektive mund ta kthejmë pasigurinë në stabilitet dhe të sigurojmë një paqe të qëndrueshme, duke investuar në një të ardhme më të mirë për të gjithë.”