Google ADS

BERZH bën gati 62.9 milionë euro për linjën hekurudhore Shqipëri-Mali i Zi

10:26 | 9 Gusht 2022
A. B.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka bërë të ditur sot se po planifikon të japë një kredi sovrane deri në 62.9 milionë euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore midis Vorës në Shqipëri dhe Hanit të Hotit në kufirin me Malin e Zi.

Financimin do ta përfitojë Hekurudha Shqiptare, operatori i sistemit hekurudhor shqiptar, i cili është në pronësi të plotë të shtetit, raporton Telegrafi Shqipëri.

Projekti i linjës hekurudhore prej 120 kilometrash, me një kosto të përgjithshme prej rreth 267 million euro, parashikohet të bashkë-financohet nga BERZH, Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Bashkimi Evropian (BE) përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Sipas BERZH-it, objektivat e projektit janë promovimi i lidhjes së Shqipërisë dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe integrimit rajonal pasi linja është pjesë e Rrjetit Kryesor të Ballkanit Perëndimor dhe një zgjatim i Rrjeteve të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në rajon.

Projekti gjithashtu ka për qëllim të mbështes zhvillimin e një transporti më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm duke promovuar kalimin e modalitetit nga rruga në hekurudhë në Shqipëri.

Projekti vjen në një periudhë kur qeveria e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e Kosovës për ndërtimin e një hekurudhe të re që do të lidhë Durrësin me Prishtinën.

Këto projekte janë në linjë me direktivat e BE-së për zhvillimin e transportit hekurudhor në rajon.

Projekte të tilla shikohen si zhvillues të ekonomisë dhe si një mënyrë e mirë për të ulur ndotjen.