Berisha: Rruga e vetme për të rrëzuar qeverinë mbetet protesta

12:40 | 24 Shtator 2025
E.H

Pas miratimit të procesverbalit të seancës së 18 shtatorit mes debatesh dhe vetëm me votat e mazhorancës, kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se rruga e vetme që i mbetet opozitës për të rrëzuar Qeverinë e Shqipërisë, janë protestat.

“Qytetarët e panë se çdo gjë është e pashpresë në rrugë procedurale dhe ligjore dhe rruga e vetme mbetet vendosmëria qytetare, protesta kundër këtij grupi mafioz që ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe as moral”, deklaroi Berisha.

Ky i fundit u ndal dhe te vendimi i marrë dje (23 shtator) nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Berisha deklaroi se cdo anëtar i qeverisë, do të ketë fatin e Erion Veliajt.

“Sot ishte një mundësi që të anulohej seanca dhe me anulimin e seancës rivendosej Kushtetuta. Por problemi është se këta janë Erion Veliaj. Janë copy-paste. Këta e kanë shumë të qartë se i pret fundi i Erionit. Këta e kanë të qartë se e drejta, e vërteta, vonon, por nuk harron.

Është e qartë se kur them që janë si Erion Veliaj, janë pa asnjë diskutim edhe më keq se ai në disa aspekte.

Mirëpo ai e di se drejtësia vonon dhe nuk harron. Këta i panë dje këshilltarët, të quajturit larva njerëzore, njerëz të cilët kishin dalë dhe ishin kacavjerrë dritareve dhe dyerve të prokurorisë dhe gjykatës në protesta kundër arrestimit të Erionit, kurse dje i bënin gjyqin Erion Veliajt, duke dëshmuar se nuk kanë as moral, as karakter, asgjë tjetër. Ju e patë se si ishin ata sot, ishin në zi, nxinin sepse panë secili në veten e tij, fatin e Erion Veliajt”, tha Berisha./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale