Basha: Zgjedhjet e lira, prioritet i shqiptarëve

22:02 | 20 Shkurt 2017

Lulzim Basha shprehu vendosmërinë e vijimit të protestës së opozitës. Në lidhje të drejtpërdrejtë me Top Storyn, kreu i partisë Demokratike tha se ka dy rrugë, ose mundja e popullit, ose largimi i Qeverisë.

E dyta ndodh, thotë ai, përmes reflektimit të elitës politike.

“E cila është përballur të shtunën me nisjen e një lëvizjeje popullore që ka bashkuar shqiptarët të djathtë dhe të majtë”, tha ai.

Basha hodhi poshtë zërat se bojkoti i Parlamentit bëhet kundër Vettingut dhe reformës në drejtësi. Ai foli për një tjetër prioritet të shqiptarëve.

“Qëndrimi ndaj Parlamentit është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e prioritet numër një të shqiptarëve, që janë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prioriteti numër një janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha.

Kryetari i PD shtoi se “zgjedhje pa opozitën mbahen vetëm në vende diktatoriale”.

“Në Shqipëri do të ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose nuk do të ketë zgjedhje. Zgjedhje fasadë dhe me kriminelë, me shtet të angazhuar për shitblerje votash nuk do të ketë”, deklaroi ai.

Basha këmbënguli se opozita gëzon mbështetjen ndërkombëtare për nismat e saj, ndërsa hodhi poshtë zërat se protesta bëhet për të bllokuar reformën në drejtësi dhe frikës së humbjes në zgjedhje.

“PD është e përgatitur për të hyrë në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ne kemi platformën ekonomike për të nxjerrë mijra familja nga mjerimi ekonomik. Kemi rrugët e daljes nga kriza dhe kemi besim se me zgjedhje të lira dhe të ndershme shqiptarët do të na besojnë qeverinë. Sa i takon të dytës, ishte mazhoranca, ishte Edi Rama ai që përjashtoi opozitën duke shkelur premtimin e dhënë se shtatë ligjet do të kalonin me konsensus, ai e përjashtoi opozitën dhe mban përgjegjësinë për këtë përjashtim”, shtoi Basha.

Në fund, Lulzim Basha garantoi se protesta do të vazhdojë paqësore.

“Dhuna nuk është tipari ynë. Dhuna, arroganca është tipari i Qeverisë. Gjithmonë protestë paqësore dhe demokratike, por të vendosur për arritjen e kauzës, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një qeveri teknike”, mbylli fjalën e tij kreu i PD./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara