Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte mbrëmjen e së martës në hidrocentralin e Komanit për të monitoruar situatën e krijuar nga reshjet intensive që kanë përfshirë vendin.
Së bashku me administratorin e KESH-it, Erald Elezi, ajo dha garanci se situata është nën kontroll. Balluku theksoi se, pavarësisht intensifikimit të reshjeve dhe prurjeve anësore, autoritetet po menaxhojnë situatën dhe nuk parashikohet hapja e portave për shkarkime, duke shmangur kështu rrezikun e përmbytjeve.
“Po ndjekim me kujdes intensifikimin e reshjeve dhe presim që të premten të ketë agravim të situatës. Megjithatë, kemi marrë masat për të minimizuar dëmet dhe për të mbajtur situatën nën kontroll. Nuk parashikohet hapja e portave, se ky është problemi kryesor,” tha Balluku.
Prodhimi maksimal për menaxhimin e prurjeve
Për të menaxhuar prurjet e larta dhe për të ruajtur kuotat e liqeneve, HEC-et e Komanit dhe Vaut të Dejës po punojnë aktualisht me kapacitet të plotë prodhimi. Administratori i KESH-it, Erald Elezi, shpjegoi strategjinë e ndjekur.
“Vau i Dejës po prodhon maksimumin e kapacitetit dhe prurjet janë rreth 200 m³/sek. Dëshirojmë që të shmangim përmbytjet, prandaj kemi mbajtur prodhimin në maksimum edhe në Koman, edhe në Vaun e Dejës.”, tha ai.
Ndryshe nga dy HEC-et e tjera, Elezi informoi se HEC-i i Fierzës aktualisht nuk është në punë, pasi po përdoret si rezervë për të krijuar hapësirë manovrimi për Komanin, për shkak të basenit më të madh që ka.
Kuotat dhe gatishmëria
Të dy drejtuesit theksuan se ka ende hapësirë të konsiderueshme për akumulimin e ujit:
Koman
Kuota është rreth 167 m, duke pasur një rezervë deri në 7 m deri në kapacitetin maksimal.
Vau i Dejës
Kuota është 71 m, me kapacitet shtesë prej 4.5 m deri në kuotën maksimale. Elezi siguroi se infrastruktura është e gatshme për çdo situatë emergjente, pasi janë kryer testimet e portave dhe gjithçka është përgatitur për përdorimin e agregateve në rast nevoje.
Pavarësisht kësaj gatishmërie, situata mbetet delikate, pasi reshjet priten të intensifikohen dhe të vazhdojnë deri të premten.
Zv.kryeministrja Balluku theksoi se autoritetet janë në koordinim të ngushtë me strukturat vendore e qendrore për të shmangur pasojat më të rënda.
/rtsh.al/
Blerim Sallahu u bën thirrje qytetarëve që të votojnë
Një orë para mbylljes së vendvotimeve, ky është numri i qyte...
Policia interviston një qytetar në Graçanicë nën dyshimet pë...
“Për Kosovën që e kemi amanet!”, voton familja J...
Hargreaves vëzhgon zgjedhjet: Ende ka kohë për të votuar
PDK mban konferencë për media në 18:30