Avokati i Përgjithshëm i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë: Protokolli Itali-Shqipëri për emigrantët, në përputhje me rregullat e BE-së

19:56 | 23 Prill 2026
E.G

“Në përputhje me rregullat e BE-së mbi riatdhesimin dhe azilin” e cilëson Nicholas Emiliou, avokati i Përgjithshëm të Gjykatës Evropaine të Drejtësisë, protokollin Itali-Shqipëri, të nënshkruar më 6 nëntor 2023.

Në opinionin e dhënë prej tij që i paraprin vendimit të gjyqtarëve të Luksemburgut, i cili pritet të jepet gjatë muajve në vijim, avokati shprehet se kusht mbetet që të drejtat e emigrantëve të mbrohen plotësisht.

“Ligji i BE-së nuk e pengon një vend të krijojë qendra për emigrantët jashtë territorit të tij’’, thekson avokati, duke vënë në dukje se shteti mbetet i detyruar të respektojë të gjitha garancitë e ofruara, duke përfshirë të drejtën për ndihmë ligjore, interpretim gjuhësor dhe kontakt me anëtarët e familjes dhe autoritetet.

Sipas tij, vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet të miturve dhe personave vulnerabël.

Protokolli i nënshkruar nga kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni i lejon Italisë të krijojë dhe menaxhojë qendrat e ndalimit dhe riatdhesimit të migrantëve në Shqipëri, duke mbetur nën juridiksionin e atij vendi.

Lajm të rëndësishëm e konsideroi kryeministrja italiane opinionin e avokatit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

“Konfirmon vlefshmërinë e rrugës që kemi nisur dhe sa shumë i kanë kushtuar Italisë dy vjet të humbura për shkak të shqyrtimeve gjyqësore të detyruara dhe të pabazuara”– deklaroi Giorgia Meloni.

“Ndërkohë, ne po ecim përpara, sepse lufta ndaj migracionit të paligjshëm kërkon seriozitet, guxim dhe zgjidhje konkrete”– u shpreh ajo.

/rtsh.al/