Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka urdhëruar Marinën amerikane që të “qëllojë” çdo anije që vendos mina në Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar se “pastruesit” e minave po operojnë me intensitet të lartë, duke mos elaboruar më shumë.
Në një postim tjetër në Truth Social, Trump tha po ashtu se Irani po has në vështirësi që të zgjedhë një udhëheqës, duke pretenduar se SHBA-ja e ka nën kontroll Ngushticën e Hormuzit.
Udhëheqësi amerikan shtoi se asnjë anije nuk po lëvizë nëpër këtë rrugë të rëndësishme ujore pa miratimin e Marinës amerikane, duke theksuar se ngushtica është “nën kontroll të rreptë”.
Ai tha se kjo situatë do të vazhdojë derisa SHBA-ja dhe Irani të arrijnë një marrëveshje paqeje.
Trump është pajtuar që të vazhdohej një armëpushim me Iranin, i cili ishte paraparë të skadonte më 22 prill.
Megjithatë, SHBA-ja tha se do të mbajë në fuqi një bllokadë ndaj porteve iraniane derisa të arrihet një marrëveshje paqeje.
Irani e ka akuzuar SHBA-në se po shkel armëpushimin e arritur më 7 prill, me ndërmjetësimin e Pakistanit, përmes kësaj bllokade.
Irani e ka mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, e cila normalisht shërben si rrugë për kalimin e rreth një të pestës të furnizimit global me naftë dhe gaz të lëngshëm natyror, pak pas fillimit të luftës të SHBA-së dhe Izraelit me Iranin më 28 shkurt.
Ndërkaq, pas bisedimeve ballë për ballë në Islamabad më 11–12 prill që përfunduan pa marrëveshje, pritej të zhvillohej një rund i ri këtë javë, por nuk u zhvillua, pasi Irani nuk e konfirmoi pjesëmarrjen dhe negociatorët amerikanë nuk kanë udhëtuar ende për në Pakistan.
Trump po ashtu po kërkon që Teherani ta japë një përgjigje “të unifikuar” ndaj propozimeve të SHBA-së për përfundimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, dhe ai nuk ka vendosur ndonjë “afat të prerë” tani për tani, tha Shtëpia e Bardhë mbrëmjen e 22 prillit./rel
Arrestohet një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar
Trepça e fiton gjysmëfinalen e parë ndaj Pejës
Kuvendi i Kosovës miratoi dhjetë projektligje
Rama ndan pamje nga shembja e ndërtimeve pa leje në Prishtin...
Berisha shkruan për vdekjen e Qosjes: Pavarësisht kundërshti...
Gashi: Zgjedhjet e janë të shmangshme, partitë opozitare duh...