Google ADS

Atmosfera e festave në Durrës, shqiptarë dhe të huaj festojnë ndezjen e dritave

20:30 | 7 Dhjetor 2023
.

Durrësi ka ndezur mbrëmjen e së mërkurës dritat e festave të fundvitit.  Për të huajt, qyteti bregdetar i këtij fundviti duket si një kartolinë e bukur.

“Vij nga Filipinet, por këtu po ndihem si në shtëpi, është kaq bukur dhe ngrohtë. Duket si kartolinë. Nuk e prisja që të ishte kaq vend i mrekullueshëm.

Unë jam për punë këtu dhe në muajin maj të vitit që po vjen më mbaron kontrata, por po e konsideroj të vij të jetoj për të paktën 5 vite në Durrës. Po e mendoja edhe gjatë kohës që po ecja këtu, ndoshta është efekti i këtij dhjetori që duket kaq magjik”,-tha qytetarja nga Filipinet.

“Ne jemi nga Italia, por që prej marsit po jetojmë në Durrës. Patëm mundësi ta shihnim qytetin e zbukuruar në janar, por këtë fundvit është shumë më bukur, sidomos godina e bashkisë, është më e ndriçuar.

Prej andej nga vijmë ne kanë investuar shumë me dritat dhe pistat e patinazhit, por janë shumë komerciale. Këtu është shumë bukur, kemi rënë në dashuri me qytetin tuaj. Keni bërë një punë të mirë”,-u shpreh italiani

Të kënaqur janë edhe durrsakët, por vënë në dukje se dekori duket i ngjashëm me atë të viteve të shkuara.

“Është vërtetë i bukur, por është e njëjta gjë që përsëritet çdo vit”,-tha qytetarja.

“Jo se ka ndonjë ndryshim të madh me vjet, aty-aty është, por ne na duket mirë. Mos harrojmë të kaluarën, kur i zbukuronim dritaret me pambukë dhe i ngjitnim me pështymë, kjo sot është mirë shumë”,-tha qytetari.

Ndryshe nga “tradita” e viteve të shkuara, këtë fundvit dritat u ndezën pa asnjë ceremoni “zyrtare” a festë në shesh, por kjo nuk e zbehu atmosferën.

Më të lumturit ishin sigurisht fëmijët.

Shpërndaje në rrjete sociale